Një deputet britanik ka dalë kundër zërave diskriminues në qeverinë britanike në mbrojtje të shqiptarëve.
Ndryshe nga ç’është thënë e dëgjuar nga politikanë dhe mediat përtej ishullit, Daniel Kawczynski doli në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë dhe shprehu kundërshtinë e tij ndaj deklaratave të ashpra e paragjykuese ndaj tyre.
“Nuk ka dyshim se ka polemika në rritje për kalimet e paligjshme në kanalin anglez, por mënyra sesi ne e trajtojmë diasporën ekzistuese shqiptare këtu në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme dhe një tregues kyç se si i zhvillojmë marrëdhëniet tona me Tiranën”, – tha ai.
Ai tha mbërriti në Angli, duke i shpëtuar komunizmit me familjen në tetor të vitit 1978, si një fëmijë gjashtë vjeç.
Duke respektuar ligjin dhe vlerësuar kontrollin për emigracionin, Kawczynski përpiqet të bëjë një krahasim.
“Unë besoj se shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar po përballen me të njëjtin presion që kaluan polakët në fillim të viteve 2000 – në fakt, ndoshta edhe më shumë. Kam hasur raste në zonën time elektorale në Shrewsbury të fëmijëve të vegjël me origjinë shqiptare që janë ngacmuar në shkollë dhe kanë përjetuar abuzime raciste”.
Ai tha se javën e kaluar ishte shumë i prekur nga protesta e shqiptarëve në Londër kundër diskriminimit ndaj emigrantëve.
“Demonstrata që pashë javën e kaluar në urën Westminster është shumë e ndryshme nga ajo se si u karakterizua ngjarja në ‘The Mail on Sunday’, e cila u përpoq t’i portretizonte ata demonstrues si një turmë plaçkitëse, e vendosur në ferr për të krijuar dhunë. Kjo nuk është ajo që pashë”, shtoi deputeti konservator.
Gjithashtu, nuk la pa përmendur as deklaratën e Sekretares së Brendshme, Suella Bravermen, e cila i cilësoi shqiptarët si kriminelë.
“Ne të gjithë duam të shkatërrojmë modelin e biznesit të bandave kriminale, por nuk duhet t’i dalin kundër shqiptarëve. I bëj thirrje Sekretares së Brendshme që të fokusohet në detyrën që ka përpara dhe të jetë e kujdesshme me gjuhën që përdor. Sigurisht, disa nga banorët shqiptarë që takova më shprehën shqetësimin për karakterizimin e tyre nga politikanë të caktuar në këtë Dhomë”.