Ahmet Zogu lindi më 8 tetor 1895, në Burgajet, Mat. Më 31 janar të vitit 1925, ai shpallet President i Republikës së Shqipërisë, ndërsa më shtator 1928, vetëshpallet mbret i Shqipërisë.
Mbreti Zog vdiq në Francë, më 6 prill 1961.
“American Eye” boton një pjesë nga libri “King Zog: self-made monarch of Albania” nga studiuesi Jason Tomes ku flet për jetën e mbretit shqiptar, nga pasioni për librat ushtarakë tek frika për jetën e tij.
Nga Jason Tomes
Kompleksi mbretëror në Tiranë përbëhej nga pallati mbretëror dhe rreth gjashtë ndërtesa më të vogla, brenda kangjellave e parmakëve të zbukuruar tek-tuk me llamba qelqi.
Në fakt, pallati mbretëror ishte e njëjta vilë që ishte zgjedhur nga presidenti Zogu në vitin 1928, dhe s’kishte asgjë mbretërore në të. Kishte planin për ndërtimin e një rezidence të re, të përshtatshme për një mbret, disa kilometra në jug të qytetit.
Ndërkohë, Zogu qëndronte i ngulur aty. Askund s’mund të ishte aq e përshtatshme për gardën mbretërore: 500 këmbësore dhe tridhjetë kalorsiakë që mbanin jaka të kuqe në uniformat e tyre ngjyrë ulliri. Regjimenti më i paguar në ushtri, rojet ishin rekrutuar ekskluzivisht nga dega e Zogollit të Matit. Ato qëndronin në shërbim në portat e pallatit, jashtë dyerve dhe nën dritare.
Mbreti i kalonte ditët, pikërisht në këtë kompleks. Ai nuk e kishte problem të pranonte se pse i ishte nënshtruar burgosjes vullnetare.
“S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë”, thoshte ai.
“Por nuk kam në plan të lejoj të më qëllojnë në mes të rrugës si qen”.
Ai pretendonte se i detyrohej Shqipërisë të merrte masa të forta parandalimi, sepse ai donte të bënte shumë për vendin e tij para se të vritej, siç priste vërtet se do ndodhte.
Betejat e tij me bejlerët rivalë, kosovarët, radikalët që mbështesnin Nolin dhe rebelët dukagjinas e kishin shtënë në gjak me një sërë familjesh. Të fyerit i dërgonin herë pas herë një zarf me plumb brenda, që ishte premtim se plumbin tjetër do e merrte në zverk. Një vizitor britanik guxoi njëherë të sugjeronte se kreu i shtetit duhej të përjashtohej nga ligjet e gjakmarrjes. Guida e tij iu përgjigj: “Mbreti jonë shkëlqesi është një prej nesh, jo si mbreti juaj”.
Ndaj, Zogut iu kthye në zakon të qëndronte larg dritareve, të shihte me kujdes çatitë e ndërtesave përreth dhe të nxirrte revolverin e tij prej shenjës më të vogël të trazimit. Edhe brenda në pallat duhej të ishte gjithnjë në gatishmëri. Një deputet i parlamentit ishte qëlluar për vdekje në dhomën e adjutantit në vitin 1932.
Në fakt, ligjet e traditës e ndalonin vrasjen në shtëpi.
Kur armiqtë takoheshin si i zoti i shtëpisë dhe i ftuari etiketa kërkonte mirësjellje. Mbreti pra mund të përballej edhe me armiqtë më të këqij.
Gjatë intervistave veçanërisht të pazakonta ai mbante një revolver të mbushur nën një shami mbi tryezë, pranë dorës së djathtë, në rast se abuzohej me mikpritjen e tij. Detyrimet zyrtare nënkuptonin pastrimin e rrugëve dhe kërkimin ose evakuimin e shtëpive që ishin pranë rrugës. Njerëzit e Tiranës mund ta shihnin mbretin e tyre duke bërë përshëndetjen në paradat ushtarake në ditët e festa kombëtare. Ndërkohë që ishte e vërtetë se as në vendet e tjera masat nuk afroheshin fizikisht me mbretin, kjo distancë binte më shumë në sy në një qytet të vogël sesa në metropolet moderne.
Kur Zogu mori pjesë në një pritje të inaugurimit të ndërtesës së re të Legatës së SHBA-së në vitin 1930, diplomatët e panë të çuditur teksa ai rrëshqiti nga makina, rendi në ndërtesë, dëgjoi fjalimin dhe u zhduk po aq shpejt sërish. Hapja e parlamentit ishte njësoj e nxituar në ato raste të veçanta kur ai mbante fjalimin e mbretit, personalisht. “Të huaj këtu shijojnë herë pas here çaste talljeje me të”, ankohej Rose Ëilder Lane, shkrimtarja amerikane që jetonte në Tiranë dhe që u bë mikja dhe admiruesja e tij.
Herë pas here, kishte ndonjë shfaqje të papritur të mbretit, kur Zogu bënte shëtitje të shkurtra përkrah nënës së tij, përmes kopshtit trekëndësh ndërmjet rezidencave të tyre.
Ky park në miniaturë ishte si kopsht bashkiak, me trëndafila dhe stola, ku shoqëria alla-franga vinte të dielash pasdite. Me Sadijen në krahun e tij, ai ishte i sigurt nga vrasësit që respektonin Kanunin. Raste kur dilte nga qyteti ishin të rralla, zakonisht për të shkuar në Mat me motrat e tij, për të ngrënë drekë në shtëpizën e tij në Qafështamë. Ekskursionet kryheshin në rrugë të ndryshme çdo herë, shpërndaheshin informacione false, bëheshin kontrolle për bomba dhe ndryshohej itinerari në momentin e fundit.
Shumë shqiptarë supozonin se mbreti, herët a vonë do kishte fatin e Esat Pashës apo Ceno Bej Kryeziut, ndaj kujdesi i tij nuk u dukej aspak i habitshëm. “Një njeri me armiq është si një lepur në strofullën e tij që duhet të vëzhgojë për një kohë të gjatë me kujdes për të kaluar rrugën”. Njerëzit e fuqishëm kishin jetuar gjithnjë brenda mureve dhe vetë-burgosja ishte shpeshherë forma e vetme e mbrojtjes për një njeri në gjak.
Eksperienca të këtij lloji kishin krijuar dhe fjalën e urtë, “Pushka s’pyet për trimëri, pushka vret”. Ishin kritikët e jashtëm, ata që akuzonin Zogun për burracakëri dhe paranojë.
William Seeds ndjeu nevojën të hidhte poshtë këtë këndvështrim të zakonshëm: Ai nuk është tirani i zbehtë që dridhet në pallatin e tij, siç e përshkruajnë disa; ai ka në favor të tij rininë, pamjen, fuqinë fizike dhe minierat më të admirueshme të mundshme; ndërkohë që është fakti që e ka shpallur veten në luftë, si për të marrë respektin e të mëdhenjve të fiseve të egra në marrëdhëniet personale me të, pavendosmëria dhe mungesa e principeve që e bëjnë përpjekjen e tij të vogël në trajtimin e politikave të larta.
Nëse Zogu ia kishte idenë e qindra njerëzve që mund ta vrisnin ai nuk mund të quhej paranojak. Rose Wilder Lane protestoi: “Nëse ai del në rrugë nuk do jetonte më shumë se dhjetë minuta dhe nëse ai merr fund, Shqipëria është e marrë fund”.
Frika e mbretit për jetën e tij mund edhe të ketë qenë e ekzagjeruar. Liderë të tjerë kombëtarë mund t’ia besonin mbrojtjen e tyre policisë; Zogu e shihte si të nevojshme që të kujdesej vetë për çdo detaj të mbrojtjes së tij.
Të dërguarit diplomatikë të Italisë dhe Jugosllavisë gjithashtu përpiqeshin ta trembnin duke u kaluar shërbimeve sekrete informacione për komplote në radhët e emigrante shqiptarë. Zogu e dinte se ishte i rrethuar nga spiunë italianë, të cilët do mund t’i jepnin informacione shumë të rëndësishme Hasan Prishtinës, nëse Musolini vendoste të ndryshonte lidershipin e Tiranës.
Zogu nuk u ankua kurrë për kërcënimet që merrte. “Incidente të tilla ndodhin”, thoshte ai. “Këto janë rreziqe që i kanosen çdo kreu shteti”. Meqë dalja jashtë ishte aq e rrezikshme, ai preferonte të rrinte në pallat.
Kompleksi kishte një fushë tenisi dhe palestër, edhe pse mbreti s’i përdorte shpesh ato. Shqiptarët e modës së vjetër nuk e kuptonin pse perëndimorët bënin palestër vazhdimisht. Sporti ishte tipar i shoqërisë evropiane për të mbajtur trupin në formë, gjithsesi Zogu nganjëherë e merrte raketën e tenisit. Ato që lavdëronin lojën e tij nuk njihnin ndonjë standard krahasimi.
Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanpirës ishte gjithçka përveç se e shëndetshme.
“Ai ishte një oxhak njerëzor”, kujtonte një reporter. “S’kam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”.
Sipas këtij burimi, Zogu pretendonte se në 1920-ën e kishte zakon të pinte 250 cigare në ditë. Kjo i bie 15 cigare në orë. Mbase duhanpirës të tjerë po aq të vullnetshëm mund të gjykojnë më mirë nëse një nivel i tillë konsumi duhani është fizikisht i mundur, por të gjithë bien dakord se ai pinte shumë duhan, edhe sipas standardeve shqiptare. Gazetarët me sy të mprehtë për të kapur detajet nganjëherë vërente një preferencë për markat turke me aromë ekzotike, por të tjerë thonin se ai s’ishte aq përzgjedhës për sa kohë diçka përmbante nikotinë.
Zogu thoshte se ngrihej në gjashtë të mëngjesit e shtrihej në mesnatë. Ai normalisht ishte në studion e tij të mbingrohur në orën tetë të mëngjesit dhe plani i tij i punës zgjatej në 14 orë në ditë. Një poet zogist e perifrazoi në vargje, “lumi s’fle, deti s’fle, po ashtu nuk fle as mbreti”.
Ushqimi vinte nga pallati i nënës mbretëreshë në një kuti të mbyllur sepse ai kishte besim vetëm tek Sadija. Zakonisht ushqimi përbëhej nga specat, oriz me mish, komposto frutash, djathë i bardhë, bukë e zezë dhe byrek me djathë e arra. Ushqimi i tij i preferuar ishin patëllxhanët e mbushur.
Mbreti lexonte shumë ndaj s’kishte një kufi të qartë ndërmjet punës dhe zbavitjes. Pako të tëra me libra dhe revista vinin rregullisht nga Vjena.
Ai ruante interesin e tij për historinë ushtarake, veçanërisht për periudhën napoleonike dhe një bust i vogël i Napoleonit qëndronte në tavolinën e tij të punës, përkrah një pllake qeramike të Skënderbeut.
Shpeshherë pasi mbaronte ai luante e letra për para me disa prej adjutantëve dhe ministrave të tij. Këto rast shërbenin dhe për të shkëmbyer informacione informale politike. Zogu i mësonte thashethemet më të fundit nga të ftuarit e tij dhe po nëpërmjet tyre përhapte thashethemet për llogari të tij. Oborri shqiptar nuk kishte oborrtarë të asnjë lloji, ndaj dhe Zogut i pëlqente të kishte vizitorë të huaj, veçanërisht nëse këto ishin femra.
Zogu e linte Tiranën zakonisht vetëm një herë në vit. Në pik të verës, njerëzit preferonin t’i iknin klimës mbytëse të kryeqytetit. Familja mbretërore udhëtonte drejt Durrësit çdo qershor dhe kalonte pranë detit tre ose katër muaj. Zogu kishte shpresuar ta kthente Durrësin në portën e Shqipërisë. Ishte një prej porteve më të mira në Adriatik, sipas qeverisë shqiptare.
Ishte pikërisht këtu në Durrës që në pritje të një ardhmeje më me influencë, Zogu kishte zgjedhur të ndërtonte pallatin e tij veror. Shumë bashki të etura për të pasur marrëdhënie të mira me Zogun i kishin ofruar atij tokë dhe shtëpi në kohën e shpalljes së monarkisë. Ai zakonisht i vinte këto prona në funksion të ministrisë që të përdoreshin si baraka ose spitale. Vila e tij e pushimeve në Shirokë për shembull, u bë shkollë për oficerët.
Askush nuk i vinte në dyshim meritat panoramike të pallatit të tij në Durrës. Pallati u ngrit mbi një kodër mbi port, me një pamje të jashtëzakonshme ku qyteti dhe deti shtrihej si në pëllëmbë të dorës. Isabel Aderson, e cila pa pallatin teksa ishte në ndërtim e sipër në vitin 1929 mësoi nga guida e saj zyrtare se shkallët e shumta ishin parashikuar që Zogu të mund të bënte stërvitje pa pasur nevojë të dilte jashtë.
Ishte karakteristikë e mbretit që të përqafonte stilin ndërkombëtar, por një udhëtar në kërkim të Shqipërisë së vërtetë u ankua se ndërtesa e parë që pa ishte “si një kazino në një prej brigjeve të Belgjikës”. Kushdo që hynte në Durrës me anije mund ta shihte pallatin. I vetmi tipar shqiptar i tij ishin kuzhinat e ndara nga pjesa kryesore e ndërtesës dhe një statujë e Skënderbeut në hyrje. Pjesa e brendshme kishte një dhomë pritjeje Louis Quatorze, një dhomë ndenjeje Empire dhe një dhomë gjumi Marie-Thereze. Korridori ishte i gjithi prej mermeri të zi. Tavani i dhomës së muzikës ishte i derdhur në ar me motivet e një shqiponjë dykrerëshe dhe pjesa më e famshme ishte tualeti, e përbërë nga një vaskë gjigande sipas stilit romak dhe me ujin që rridhte nga buzët e një nimfe bronzi.
Projekti dështonte vetëm në një drejtim.
“Ai e ndërtoi pallatin për të ftuar të famshëm, por nuk pati kurrë të tillë”.
Titullarët e huaj qëndruan larg tij, ndaj ai mbeti pa u përdorur. Në vizitën e tij vjetore nga Tirana, ai qëndronte disa ditë në pallat duke pritur bejlerë dhe zyrtarë vendas e më pas mërzitej duke u sorollatur në koridorret e mermerit e më pas zbriste në shtëpinë e tij disa metra më në jug.
“Pallatet me mërzisin”, thoshte Zogu kur priste gazetarët e huaj në shtëpitë njëkatëshe buzë detit. Këtu, jeta e përditshme ishte më e qetë se në kryeqytet. Buzë detit, mbreti e ndërronte kostumin e tij të zakonshëm gri me pantallonat bardha prej stofi dhe një xhaketë sportive blu. Pjesën më të madhe të kohës qëndronte në studio, një zyrë e vogël e pajisur me disa karrige të lehta, një tryezë kafeje dhe një tavolinë. Lluca ishte një problem më vete, ndaj vizitoreve femra u kërkohej të mos vishnin taka të larta. Meqë këtu vizitohej nga më pak njerëz se në kryeqytet, Zogu e përdorte shpesh telefonin. Shqipëria nuk ishte lidhur me rrjetin ndërkombëtar, por linjat ndërmjet pallateve, ministrive dhe postave të xhandarmërisë funksionin.
Pasdite vonë, kur koha bëhej më e freskët luhej muzikë nga banda mbretërore dhe mbreti mund të nxirrte gramafonin e tij dhe disqet me muzikë klasike e të kërcente nën tingujt e hiteve të kohës. Shpeshherë organizoheshin shfaqje filmash në shtëpinë e kinemasë. Motrat e tij dhe fëmijët pëlqenin të shihnin Charlie Chaplin dhe Shirley Temple. Të gjithë binin herët për të fjetur.
Ndryshe nga ç’besohet, ballot luksoze, shpenzimet e tepruara dhe format e tjera të ekstravagancës nuk ishin tipar i mbretërisë së Zogut. Kushtetuta e vitit 11928 i kishte caktuar mbretit 500 mijë franga ari në vit, si dhe shpenzimet për stafin dhe udhëtimet. Nëna mbretëreshë dhe princeshat merrnin 120 mijë të tjera.
Edhe pse ishte shumë më pak se shuma që i paguhej mbretërve të Rumanisë dhe Jugosllavisë, lista civile e Shqipërisë ngjante e tmerrshme në një vend, kur të ardhurat vjetore zor se i kalonin 1 milionë paund dhe ku thesari ishte gjithnjë në deficit.
Siç mund të vërenin diplomatët e huaj, shpenzimet e tij më ekstravagante ishin ato që kishin si synim të linin bejlerët në hije. Ai e kishte shumë me qejf që t’i vinte në siklet, kur bëhej fjalë për shkëmbim dhuratash. Prestigji ishte gjithashtu një motiv tjetër për të blerë disa limuzina (më së shumti Mercede-Benz). Ai nuk i ngiste vetë ato, por rrugët malore kërkonin motorë të fuqishëm. Për t’u bërë përshtypje krerëve të fiseve, mbreti ekspozonte koleksionet e tij të qilimave orientalë dhe armët antike.
Shpenzimet më të mëdha dëshmojnë se mbreti paguante trefish më shumë për çdo gjë që familja mbretërore blinte në treg.
Mbase mbreti nuk e kuptonte se faturat e ushqimeve të tij fryheshin më shumë se ç’duhej; por në fakt ka më shumë mundësi që ai ta dinte shumë mirë, por dashamirësia e tregtarëve tiranas mund të meritonte një shpërblim të tillë.