Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi Departamentin e Shtetit dhe rëndoi fjalorin e akuzave ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, kjo e fundit ka ndarë në llogarinë e saj në Twitter një mesazh të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri, Ryerson.
Ndërsa kujton se viti 2021 shënoi 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, diplomatja shprehet se dëshiron të ndajë një moment prekës, të treguar nga Ryerson, lidhur me vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, Baker, në Tiranë.
Në videon e publikuar, cituar nga Kim, ish-ambasadori Ryerson kujton një moment, kur një polici shqiptar i rrodhën lotë, ndërsa dëgjoi fjalët e sekretarit Baker: “ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”.
“Ndërsa po i afrohemi fundit të vitit 2021, i cili shënon 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, doja të ndaja këtë mesazh të Ambasadorit Ryerson, sidomos duke filluar nga minuta 2:09:
“Një nga momentet më domethënëse ndodhi gjatë vizitës së Baker-it. Ndërsa Sekretari po fliste, unë po qëndroja pranë makinave të autokolonës, pranë një polici shtatlartë e të vrazhdë. Ndërsa Baker tha “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, pashë një lot të rridhte në faqen e atij polici”.
Ky moment tregues i rrëfyer nga Ambasadori Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Le të mos harrojmë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gjithnjë e mbajnë njëra-tjetrën afër” – shkruan Kim.