Nga Kreshnik Kuçaj/SCAN
Pandemia e gripit spanjoll e vitit 1918 njihet si një nga pandemitë më vdekjeprurëse në histori. Numri i viktimave llogaritet nga 20-50 milionë persona. Kjo pandemi preku edhe Shqipërinë duke shkaktuar shumë viktima. Dokumentet janë të pakta, megjithatë ato që ekzistojnë na mundësojmë të krijojmë një panoramë të asaj që ka ndodhur në atë vit në Shqipëri.
Pavarësisht situatës së destabilizuar në të cilën ndodhej vendi, Katundaritë apo bashkitë e vendit kanë bërë përpjekje përmes shpërndarjes së afisheve informuese për t’iu shmangur infektimit nga virusi vdekjeprurës.
Në Arkivën e Shtetit gjenden disa dokumente të Bashkisë së Elbasanit, që sjell SCAN, që tregojnë masat që janë marrë në të periudhe. E duket se këto masa nuk kanë ndryshuar shumë nga këto të pandemisë aktuale.
Informimi për masat parandaluese, ndalimi i grumbullimeve publike, mbyllja e kafeneve, vendosja e shtet-rrethimit dhe ndalimi i lëvizjeve nga njëri qytet në tjetrin apo lëvizja me leje të posaçme kanë qenë disa nga masat që janë marrë në atë periudhë.
Një prej dokumenteve interesante është një kërkesë që pronarët e kafeneve në Elbasan të cilët kërkojnë që të lejohet që të hapin lokalet e tyre që ishin mbyllur me urdhër, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë.
Kërkesa mban datën 25 dhjetor 1918 dhe është përpiluar në zyrën avokatore “A.Sinan & Floqi” në Elbasan. Kjo kërkesë mban firmën e 5 pronarëve të kafeneve në Elbasan të cilët i kërkojnë nënkryetarit të Katundarisë që të mos ndiqen ‘standarde të dyfishta’në hapjen e kafeneve.
“Me urdhën të Katundarisë, kafehanat t’ona nga puna e smundjes qi kishte ranë në qytet ishin mbyllë për 10 ditë. Po prej ditës qi u dha urdhni e deri sot kanë kaluar 12 e ma tepër ditë”, shkruhet në letër. Më tej, evidentohet se disa kafene janë hapur me urdhëra të veçantë dhe se e njëjta gjë duhej të bëhej edhe për ta.
“Kanë mbetë vetëm kafehanat t’ona pa u çel edhe këjo në dam t’onin, të cilët sikurse e dini me këto kafehana po përmbjamë shtëpijat t’ona. Prandaj nga shkaku i pushimit të sëmundjes edhe pas urdhnit të dhanun qi disa kafehana të çilen, ju lutem fort të jepni urdhën qi edhe kafehanat t’ona të çilen e të punojnë si ma përpara”, mbyllet letra.
Në fakt, në dhjetorin e vitit 1918 pandemia e gripit spanjoll nuk kishte përfunduar ende pasi ajo zgjati deri në prillin e vitit 1920.