Mbi një e treta e shqiptarëve vazhdojnë të punojnë në të zezë, ndërsa vendi ka një numër shqetësues të të rinjve që nuk janë as në punë as në shkollë.
Të dhënat vijnë nga një studim i Bankës Botërore mbi performancën e tregut e punës në Ballkanin Perëndimor, që tregon se po vijon të përmirësohet, megjithëse me ritme më të ngadalta.
Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, kanë raportuar rritjen më të madhe të vendeve të punës në rajon gjatë tremujorit të dytë të 2018-ës. Në Shqipëri, 70% e vendeve të reja të punës i takuan grave, ndërsa papunësia arriti një minimum historik në rreth 12.4%.
Megjithatë, raporti vëren se punësimi informal është një nga sfidat më të mëdha të tregjeve të punës në rajon, veçanërisht në Shqipëri.
Fushata anti-informalitet mundi ta ulë raportin e të punësuarve të padeklaruar në 36% nga rreth 50% në vitin 2014. Kjo shifër mbetet gjithsesi shumë më e lartë se në Serbi dhe Maqedoni, ku llogaritet në rreth 20%.
Sa i takon të rinjve, situata është problematike në të gjithë Ballkanin, me një normë papunësie prej 34.6%.
Në Shqipëri kjo shifër është më e ulët, vetëm 27.3%, por nga ana tjetër të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova regjistrojnë raportin më të lartë të personave as në punë, e as në shkollë apo trajnim.
Raporti e konsideron këtë nivel shqetësues, për shkak se i vendos këta të rinj në një rrezik shumë të lartë varfërie në të ardhmen.