12 vende europiane i kanë kërkuar unionit instrumente të reja për të mbrojtur kufijtë e jashtëm nga flukset migratore, mes të cilave dhe një financim europiane për ngritjen e mureve.
Kjo është kërkesa që lexohet në një letër dërguar Komisionit dhe Presidencës së Këshillit Europian nga ministrat e Brendshëm të Austrisë, Qipros, Danimarkës, Greqisë, Lituanisë, Polonisë, Bullgarisë, Çekisë, Estonisë, Hungarisë, Letonisë dhe Sllovakisë.
Kjo temë për riforcimin e kufijve të jashtëm të unionit do të diskutohet në takimin e ministrave të Brendshëm të 27 vendeve anëtarë që do të mbahet në Luksemburg.
Përmes kësaj letre, 12 vendet kërkojnë instrumente të reja që mundësojnë evitimin në vend të përballimit të pasojave të krizave migratore dhe të azilit.
“Në të njëjtën kohë”, vazhdon dokumenti, “këto zgjidhje evropiane duhet të synojnë mbrojtjen e sistemit të përbashkët të azilit duke zvogëluar faktorët tërheqës”.
Sipas shteteve nënshkruese, “për të siguruar integritetin dhe funksionimin normal të zonës Shengen të gjithë kufijtë e jashtëm duhet të mbrohen me nivelin më të lartë të sigurisë. Pengesat fizike duket se janë një masë efektive e mbrojtjes së kufirit që i shërben të gjithë BE -së, jo vetëm të vendeve që preken të parët. Kjo masë legjitime duhet të financohet më tej dhe në mënyrë adekuate nga buxheti i BE-së“.