Në mes të shtatorit, “Special One” zbuloi se fliste pesë gjuhë, por shtoi se “kam filluar të studioj gjermanisht, ndoshta më duhet, nëse një ditë do të punoj në Gjermani”. Dhe shumëkush atëherë mendoi për “të varfrin” Niko Kovac, trajnerin e Bayernit, kurrë shumë i dashur për tifozët në Bavari. Trajneri kroat e filloi pak ngadalë këtë sezon, me dështimin ndaj Dortmundit në Superkupën e Gjermanisë dhe dy barazime në 4 ndeshjet e para të Bundesligës. Pastaj erdhën 4 fitore radhazi, që i larguan fantazmat e portugezit mbi Bayern Munich. E megjithatë, “fantazma” Mourinho vijon të sillet rreth Europës…
Tani, pas humbjes me Interin në Champions dhe 3 barazimeve në Bundesligë, në 4 ndeshjet e fundit, është zvicerani Lucien Favre në rrezik. Borussia Dortmund e tij nuk është bindëse. Dhe Mourinho, vitet e fundit është parë vazhdimisht duke folur me Hans-Joachim Watzke, presidentin dhe CEO e klubit gjerman. Edhe pse para transfertës në Milano, Zorc tha se “trajneri i Dortmundit nuk është në rrezik”, prestigjiozja “Bild” ka zbuluar kontaktet me Mourinhon. Sidoqoftë, “fantazma” e Mourinho nuk është domosdoshmërisht e keqe…
Emri i tij është lakuar edhe në Paris e Londër. Për shembull, në fund të shtatorit, PSG ishte i lidhur me trajnerin e njohur portugez. Këto zëra vluan pas humbjes brenda në shtëpi, 2-0 me Reims. Që nga mesi i gushtit, trajneri gjerman, Tuchel, u kritikua shumë. Mourinho, si zakonisht, mohoi gjithçka: “PSG? Është e pamundur, nuk mund ta stërvitesh një klub, që e ka tashmë një trajner”. Dhe ja që PSG menjëherë mori 5 fitore radhazi, 3 në Ligue 1 dhe 2 në Ligën e Kampionëve. Tuchel i konsolidoi pozitat në “Parce des Princes”.
Pastaj doli në skenë Londra. Më 16 tetor, për tabloidët anglezë, Mourinho ishte pikasur si pasuesi i Pochettino në stolin e nënkampionëve të Europës. Pronari i pasur i “Spurs”, Daniel Levy, pas poshtërimit 7-2 në shtëpi, kundër Bayernit, në Ligën e Kampionëve, dhe disfatës 3-0 ndaj Brighton në Premier League, ishte gati ta mbulonte me ar portugezin. Edhe këtu fati nuk e ndihmoi “Special One”. Një ndeshje e zbehtë me Watford, më pas fitorja 5-0 ndaj Crvena Zvezda në Champions, duket se kanë shënuar kthesën e Tottenham. Kthesë që kërkon të tjera rezultate pozitive, që ta konfirmojnë trajnerin argjentinas në stol.
Së fundi është përfolur edhe rikthimi i Mourinhos në Madrid. Në të njëjtën periudhë, nga mesi i tetorit, portugezi tha: “Ishte një nder të punoja te Real Madridi, por nuk do të doja të kthehesha, sepse tashmë e ka një trajner. Unë nuk mund të udhëheq një ekip, që e ka trajnerin. Nuk flas dot në tym”. Por, brishtësia e situatës së Zinedine Zidane në “Bernabeu” është përkeqësuar nga humbja kundër Mallorca, në La Liga, më 19 tetor, çka i dha mundësinë Barçës t’i parakalojë në renditje dhe të kapë kreun. Florentino Perez, sipas mediave, i ka dhënë ultimatum Zidane. Sidomos, duke pasur parasysh fillimin më të keq në Champions, me humbjen 3-0 në Paris dhe barazimin 2-2 në shtëpi, nga Club Brugge.
Ishte “e treta e vërteta” për francezin e njohur në Stamboll. Kundër Galatasaray duhej medoemos fitorja, ndryshe rrezikonte stolin. Zidane “tregoi dhëmbët”, pas fitores 1-0 ndaj gjigantëve turq: “Unë kam qenë këtu për 18 vite, por futbolli është pa kujtesë”. Qartësisht, i referohej asaj që ka dhënë në fushë si futbollist dhe 3 Champions-ve radhazi, si trajner. Me pak fjalë, “Zizou” ia zgjati jetën vetes. “Special One” duhet të presë, edhe pse ka gati një vit, nga dhjetori 2018, që qarkullon si “fantazmë” nëpër Europë, në kërkim të klubit të ri. Sikurse nënvizuam në rastet e mësipërme, përmendja e tij shërbeka për mirë, sepse i ka ndryshuar pozitivisht situatat ku është lakuar për trajner. Mjafton ta përmendësh atë dhe kthesa nis… Favre dhe Borussia Dortmund janë në provë…, si rasti më i fundit.