Presidenti francez Emmanuel Macron që ndodhet që prej ditës së djeshme në Tiranë, ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kreun e qeverisë Edi Rama.
Ai theksoi se është i lumtur që ndodhet në vendin tonë duke shtuar se vizita e tij është korrigjim i historisë duke qenë se asnjë president francez nuk ka qenë më parë në vendin tonë.
Mes tjerash ai nënvizoi se Franca do të angazhohet në ecurinë e Shqipërisë por jo vetëm.
“Jam i lumtur që jam këtu, në një moment kaq të vështirë për Europën tonë, që i është nënshtruar rikthimit të luftës në territorin e saj me atë që po përjeton Ukraina, me rikthimin e terrorizmit në vendin tonë. Brukseli u sulmua mbrëmë dhe dy shtetas suedezë u prekën nga ky sulm terrorist. Tani po mendoj për ta. Të jem në krahun e tuaj sot do të thotë që të shënoj një formë riangazhimi të Francës në Shqipëri dhe në rajon. Ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 asnjë president francez nuk ka ardhur në vendin tuaj. Ishte momenti për ta bërë. Kjo vizitë zyrtare ishte një rregullim i gabimit”, tha Macron.
Macron tha më tej se Shqipëria tashmë është e ankoruar në Europë.
Ai tha gjithashtu se prezenca e tij në Tiranë shënon një moment historik për Europën e cila në vitet e fundit po përjeton një erë të re të ribashkimit.
Macron shtoi gjithashtu se me mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit ditën e djeshme, Shqipëria tashmë ka nisur rrugën e pakthyeshme drejt Bashkimit Europian.
“Axhenda dypalëshe po shndërrohet dhe vullneti jonë është që të përgatisim në javët e ardhshme një marrëveshje mes dy qeverive që do ta strukturojë këtë marrëdhënie dhe që do ta çojë atë më larg. Gjithashtu gëzohem për atë që kemi ndërtuar këto vite bashkë kundër luftës së kriminalitetit dhe trafikut.
Dua t’ju falënderoj që keni qenë mjaftueshëm efikas në këtë fushë gjë që na ka bërë të mundur të nënshkruajmë një marrëveshje në 2018, por edhe ta vëmë atë në zbatim dhe ta bëjmë si një shembull që është imituar nga shtetet të tjera europianë. Ne do vazhdojmë të ecim përpara me këtë dinamikë, sepse unë jam i bindur se vendi juaj është i ankoruar në Europë.
Përtej axhendës dypalëshe, jam këtu sot që të shpreh një moment të rëndësishëm të kohës historike që po jeton Europa jonë, ajo në këto vite të fundit po jeton në një erë të re të ribashkimit të kontinentit tonë. Ju shënuat një hap të rëndësishëm me konferencën e parë ndërqeveritare, e cila shënoi rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, tha Macron.
Macron tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk është një dhuratë për të, por një e mirë që i bëhet edhe Europës. Në konferencë për mediat, krah kryeministrit Edi Rama, Macron vuri në pah dëshirën për një ribashkim të Europës dhe pjesë themelore e saj do duhet të jetë edhe Shqipëria.
“Shpreh se po jetojmë një moment të rëndësishëm të kohës historike që po jeton Evropa, po hyjmë në një erë të re, të bashkimit të kontinentit tonë. Jeni një vend që e do Europën, kjo është thelbësorja për këtë kohë të ribashkuar. Jemi në një moment ku duhet të ju japim civilizim historik, e ardhmja juaj është në Europë. Ne shënojmë këtë rrugë me anë të një investimi politik që të mblidheshim mes kolegëve, por më tepër synojmë një bashkim mes të ngjashmish. Unë e them, ky ribashkim evropian është i mirë për ne. Kush mund të flasë për një Europë fuqi, nëse ndjekim hartën e një institucioni që nuk është i arrirë? Europa ka nevojë të bashkohet.
Nuk është një dhuratë që po i bëhet Shqipërisë, procesi i zgjerimit që ka filluar është mirë për ju dhe për ne. Ju keni inteligjencën dhe vullnetin për të çuar përpara. Këtu vë re një dashuri për parimet e Europës tonë. Detyra jonë është të ju shoqërojmë me respekt dhe me prova konkrete, për të ju dhënë politikë të plotë. Shpresoj që në muajt e ardhshëm, ne si europianë të gjejmë një rrugë bashkimi, përndryshe do të jetë rreziku që e gjithë zona, këto procese të pafund të dekurajojnë opinionin publik. Dua që Europa të jetë mjeti që vendi juaj të ecë përpara në rrugën e kulturës, energjitikës, pavarësisë tekonologjike, etj, dhe këtë do e bëjmë bashkë. Unë jam i bindur se epoka që po hapet dhe ju keni rol të rëndësishëm, është ribashkimi i Europës tonë që nënkupton zgjidhjen e shumë tensioneve në rajon, mes Beogradit dhe Prishtinë që të zgjidhim të gjitha problemet. Këtë ka një vullnet. Dua të ju falenderoj për mikpritjen dhe për miqësinë tuaj dhe akoma më shumë për atë që ndjej këtu, për forcën e ëndrrës europiane”, theksoi Macron.