Gazetari Artan Hoxha foli në studion e lajmeve të ABC në lidhje me ngjarjet më të bujshme të ditëve të fundit, ku në krye qëndron zhdukja e mistershme e Ervis Martinajt, i cili kërkohet nga SPAK në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
Gjithçka nisi pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili tha se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.
Sipas gazetarit të ABC, Artan Hoxha, Ervis Martianj është aktualisht personi më i kërkuar në Shqipëri. Prej kohësh është përmendur emri i grabitësit të miliona eurove në Rinas, Talo Çela si më i kërkuar, por sipas Artan Hoxhës, sot për sot më i kërkuar është Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur.
Gazetari ka shtuar se Ervis Martianj në të vërtetë ashtu siç mori edhe emrin, ishte “mbreti” i lojërave të fatit në Shqipëri. Sipas tij vetëm taksa paguheshin prej kompanive të tij 70 milion euro. Sipas Hoxhës në kompanitë e Ervis Martinajt ishin të punësuar rreth 16 mijë njerëz.
Artan Hoxha ka ngritur dyshimet se Ervis Martinaj është marrë peng, ndërsa në treg po qarkullon një grabitqar shumë herë më i madh.
Hoxha tha se Martinajt i ka ardhur e keqja nga mostra që ai vetë ka krijuar, nga ish-miqtë e tij në biznes.
Sipas Hoxhës pas zhdukjes së Martinajt mund të fshihen pikërisht njerëzit që ai ka pasur aleatë në biznese në të shkuarën, të cilët dinin gjithçka mbi të.
Ai theksoi se aleanca e re e krimit që po krijohet është një monstër edhe më e frikshme se kjo që kemi parë deri më sot.
“Kundërshtarët më të mëdhenj të Martinajt ishin ortakët e biznesit, të gjithë njerëzit që ai ka bërë biznes u kthyen në kundërshtarë. Kundërshtarët e tij ishin aleatët. Njerëzit të cilët i ka bërë me para, ju ka marrë para, pra atij e keqja i erdhi nga monstra që kishte krijuar, jemi para faktit që nuk kemi një përgjigje. Nëse një ditë do të gjendet një nga borderotë e kompanisë së Visit ne do të shohim çudira, politikanët nuk und të fshihen kaq lehtë. Nëse e lëmë këtë histori të kalojë mister, të jesh e sigurt që kjo aleanca e re do të jetë një monstër shumë më e fuqishme”, tha Hoxha.