Aktualitet “Një grua ka treguar për policinë lëvizjet e portugezit që vrau Ardian...

“Një grua ka treguar për policinë lëvizjet e portugezit që vrau Ardian Nikulajn”

Ka një të penduar të drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill të këtij viti, në Lezhë.

Këtë detaj e ka bërë të ditur mbrëmjen e sotme në “Opinion” gazetarja Klodiana Lala. Ajo shprehet se personi që ka zbërthyer skemën kriminale është një grua, identiteti i së cilës ende nuk është i ditur.

Klodiana Lala: Në momentin që këta kanë mbërritur kanë filluar komunikimet me njëri-tjetrin. Simpson, Hunt dhe të tjerët kanë arritur të siguronin gjithë perimetrin e zonës për të vëzhguar të gjitha lëvizjet.

-Sa ditë kanë qëndruar britanikët në hotelin e tij?

Klodiana Lala: Nuk kanë qëndruar vetëm në hotelin e tij, kanë qëndruar në disa zona. Në një nga ditët kanë qëndruar aty. Kanë ardhur në kohë të ndryshme, portugezi ka qëndruar në zonën e Shkodrës, është filmuar edhe në një market ku ai merrte ushqimet, por nuk është gjetur ende banesa ku ai ka qëndruar me qira. Kjo ngjarje ka një detaj që zbulohet këtu për herë të parë. Ka një të penduar të drejtësisë, është një dëshmitar i cili ka zbërthyer të gjithë skemën për hetuesit, për prokurorin e çështjes Erion Shehaj dhe Shefin e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, ajo ka treguar të gjitha lëvizjet e portugezit…

-Ajo?

Klodiana Lala: Po është një grua. Nuk e di identitetin e gruas, por di të them, këtu është dhe në vendimin gjyqësor që është firmosur pak më parë, ajo tregon të gjitha lëvizjet e portugezit. Fakti që ai ka shkuar disa herë për të kryer vrasjen e nuk ka arritur dot.

-A ka shkuar i armatosur disa herë portugezi?

Klodiana Lala: Absolutisht, me të njëjtin motor.