Danimarka bëhet një nga vendet e para në Bashkimin Europian që hoqi shumicën e kufizimeve në lidhje me pandeminë, sepse ky vend skandinav nuk e konsideron më COVID-19 një “sëmundje kritike sociale”.
Arsyeja për këtë është se, megjithëse varianti Omicron është në rritje në Danimarkë, ai nuk paraqet një barrë të madhe për sistemin shëndetësor dhe vendi ka një shkallë të lartë të vaksinimit, thanë zyrtarët danezë.
Në përputhje me rregullat e reja, është hequr detyrimi për mbajtjen e maskës në transportin publik, në dyqane dhe në ambientet e mbyllura të restoranteve, që do të zbatohet për klientët e rregullt të këtyre objekteve.
Autoritetet, megjithatë, rekomandojnë përdorimin e maskave në spitale, objekte shëndetësore dhe shtëpi pleqsh.
Një tjetër kufizim që nuk vlen më është kalimi dixhital që përdoret për të hyrë në klube nate, kafene dhe restorante.
Danimarka ka pasur më shumë se 50,000 raste në ditë mesatarisht në javët e fundit, ndërsa numri i njerëzve në njësitë e kujdesit intensiv spitalor ka rënë.
Kreu i administratës shëndetësore daneze, Soeren Brostrom, tha se vëmendja e tij ishte më shumë e përqendruar tek numri i personave në terapi intensive sesa tek numri i infeksioneve, duke deklaruar se numri kishte “rënë dhe është tepër i ulët”.
Sipas tij, aktualisht janë 32 pacientë në terapi intensive, ndërsa numri i tyre është rritur në 80 pak javë më parë.
Gjithsesi, qeveria daneze ka paralajmëruar se vendi mund të shohë një rritje të infeksionit në javët e ardhshme dhe se mund të nevojitet një dozë e katërt e vaksinës COVID 19.