Nga Lutfi Dervishi
Ky 7 Mars për Kikon nuk ishte një ditë e zakonshme. Më shumë sesa shkëlqimi i rrezeve pranverore buzë pedonales së Sarandës, atij i vriste sytë shkëlqimi i dhuratave, urimeve dhe post-lavdërimeve në adresë të mësuesve.
Teksa ndiqte të gjitha paradat digjitale njëra pas tjetrës, gjendja e tij shpirtërore ngjante e pakuptimtë: Në fillim çuditej, pastaj mërzitej, pastaj reflektonte dhe pyeste pambarim për çdo gjë që shihte.
“Nëse të gjithë mësuesit janë kaq të shkëlqyer, atëherë pse ka kaq shumë probleme ky vend?!”, tha Kiko duke mbështetur ballin mbi gishtin tregues.
Atij i bën përshtypje tabela e nderit që thuajse të gjithë nxjerrin nga sirtari njëherë në vit për të vendosur fotografinë e mësuesit të tyre. Madje, për të qenë të sinqertë kjo i ngjante hipokrite deri në neveri kur shihte se për figurën e vyer të mësuesit flisnin edhe ata që i kanë nxirë jetën.
“Si mundet të na flasin për vlerën e mësuesit këta që i shohin veç si fasadë mitingjesh për të mbushur autobusë, salla dhe tanimë mure Facebook-u?!”, vijoi Kiko.
Ai pa që të gjithë liderët përshëndesin me mall e zell mësueset/it e tyre që me mallëngjim tregonin se qysh në vegjëli e dinin sesa të zotë do të bëheshin, thuajse kjo është dita për të rrëfyer fëmijëri politikanësh dhe jo sakrifica mësuesish.
Edhe pse ndokujt mund t’i ngjasojë si ironi, në vend të një kartoline Kiko dha disa paradokse që atij i duken me rëndësi në këtë ditë:
“Emisionet e mëngjesit nisën me përshtypje për mësuesit me të mirë, për leksionet e vlefshme dhe për borxhin e përjetshëm sepse ata na kanë përgatitur për të ardhmen. Por a është kjo e vërtetë? Ndoshta e kundërta është e vërtetë dhe këtu ka një hipokrizi masive. Sot urohet sikur të gjithë mësuesit dhe pedagogët janë të përkryer. Jo! Përndryshe pse shqiptarët thonë: “Eh ç’ma mori në qafë shkolla këtë fëmijë!”
Teknologjia po ndryshon jetën e homo sapiensit me shpejtësi dhe mësuesit sado të mirë të jenë nuk po përgatisin brezin e ri për atë që e pret. Sot më shumë se kurrë shoqëria ka nevojë për mësues dhe pedagogë të paaftë”, tha Kiko dhe renditi arsye të cilët i çuditën të gjithë:
“Pa pedagogë të paaftë ne kurrë nuk do të jemi të pergatitur për jetën, por do t’i ngjajmë atij që i futet detit me këmbë.
Pedagogët e paaftë i bëjnë të aftit të ngjajnë ekselentë.
Sot është në modë vetëedukimi përmes Instagram, Tik-Tok dhe Facebook. Pa pedagogë të paaftë humbet dëshira për të mësuar përmes tik tok-ut. Duhet të përballesh me të keqen që të çmosh të mirën.
Pedagogët e paaftë duhen vlerësuar sepse ata dhe vetëm ata përgatisin studentët për botën reale. Shkolla mbaron një ditë dhe në vendin e punës do të ndeshesh me një shef të paaftë, me një koleg që është militant partie ose me një shefe nxirësejete.
Jeta e sotme është e mbi ngarkuar me strese dhe e qeshura është ilaçi më i mire. A do të mund të qeshnit nëse nuk do të kishim pedagogët që vetëm për të dhënë mësim nuk bëjnë?!
Mësuesit dhe pedagogët e paaftë na japin mundesi për t’u ankuar, andaj le të jemi të sinqertë, kujt nuk i pëlqen të ankohet për shkollën në përgjithësi dhe pedagogët në veçanti?!”, tha Kiko ku edhe pse në irritim e sipër pati kurajo të ndjekë deri në fund paradat digjitale.
Para se të largohej nga bota digital Kiko la një shënim me porosinë që të gdhendej në një gur të madh para Parlamentit:
“Në Shqipëri më rentabël diploma e burgut, sidomos kur e ke kryer jashtë vendit, sesa diploma, masteri e doktoratura e universitetit më të mirë!”
Shënim: Duke qenë se prej disa muajsh ai është konsideruar si një mësues i ditur për njerëzit, Kiko për 7 Mars mori disa letra politikanësh, por që deri më tani nuk i ka hapur ende për t’i lexuar.