Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka emëruar për vendin e lirë të krijuar në Gjykatën e Lartë, gjyqtaren Amy Coney Barrett. Duke folur pranë saj në Shtëpinë e Bardhë, Trump e përshkroi atë si një “grua me arritje të pashembullt”.
“Unë jam i nderuar të nominoj një nga mendjet më të ndritshme dhe më të talentuara të shtetit tonë në Gjykatën e Lartë”, tha Trump në një ceremoni të Shtëpisë së Bardhë ku morën pjesë Barrett, burri i saj dhe shtatë fëmijët e tyre. “Ajo është një grua me arritje të pakrahasueshme, intelekt të lartë, referenca të shkëlqyera dhe besnikëri pa kompromis ndaj Kushtetutës,” shtoi ai.
Nëse konfirmohet nga senatorët, gjykatësja Barrett do të zëvendësojë gjyqtaren liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq javën e kaluar në moshën 87-vjeçare.
Emërimi i Barrett do të ndezë një luftë të hidhur konfirmimi në Senat ndërsa afrohen zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Kjo sepse demokratët vijojnë të këmbëngulin që gjyqtarja e re të mos emërohet para zgjedhjeve, por t’i lihet për ta zgjedhur atë presidentit që do dalë pas zgjedhjeve të nëntorit.
Nëse gjyqtarja Barrett konfirmohet, gjyqtarët me prirje konservatore do të përbëjnë shumicën 6-3 në Gjykatën e Lartë.
Gjyqtarja 48-vjeçare do të ishte e treta që emërohet vetëm nga presidenti aktual republikan. Më parë Trump kishte emëruar Neil Gorsuch në 2017-ën dhe Brett Kavanaugh në 2018-ën.
Nëntë gjyqtarët e gjykatës së Lartë shërbejnë gjatë gjithë jetës së tyre, dhe vendimet e tyre mund të formësojnë politikën publike për gjithçka, nga armët dhe të drejtat e votës deri tek aborti dhe financimi i fushatës për dekada.
Në vitet e fundit, gjykata ka lejuar martesën homoseksuale në të 50 shtetet, lejoi që të vendoset ndalimi i udhëtimit i presidentit Trump në vendet kryesisht myslimane, dhe vonoi një plan të SHBA-ve për të ulur emetimet e karbonit.
Kush është Amy Coney Barret?
Pasi u diplomua nga Shkolla e Drejtësisë e Universitetit Notre Dame në Indiana, Barrett punoi si nëpunëse për gjyqtarin e ndjerë Antonin Scalia. Në vitin 2017, ajo u emërua nga Trump në Gjykatën e 7-të të Rrethit të Apelit me qendër në Çikago.
Ajo përshkruhet si një katolike e devotshme e cila, sipas një artikulli të vitit 2013, tha se “jeta fillon me ngjizjen”. Ky qëndrim lidhur me abortin, e bën atë të preferuar midis konservatorëve fetarë të etur për të anuluar vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 1973, që legalizoi abortin në të gjithë vendin.
Por grupet LGBT e kanë kritikuar anëtarësimin e saj në një grup konservator katolik, Njerëzit e Lavdërimit, një rrjet shkollash që japin udhëzime që shprehin një besim se marrëdhëniet seksuale duhet të ndodhin vetëm midis çifteve të martuara heteroseksuale.
Gjykatësja Barrett ka vendosur në favor të politikave të ashpra të imigracionit të Presidentit Trump dhe ka shprehur pikëpamje në favor të zgjerimit të të drejtave të mbajtjes së armëve. Konservatorët shpresojnë se ajo do të vendosë kundër skemës së sigurimeve shëndetësore të prezantuar nga ish-presidenti Barack Obama.
Gjyqtarja Barrett të shtunën tha se vendimet e saj si një gjykatëse e Gjykatës së Lartë do të bazoheshin vetëm në ligj. “Gjyqtarët nuk janë politikëbërës dhe ata duhet të jenë të vendosur për të lënë mënjanë çdo pikëpamje politike që ata mund të mbajnë”– tha ajo.
Nënë e 7 fëmijëve
Barrett është nënë e 7 fëmijëve. Pas nominimit nga Trump, ajo gjeti kohën për të prezantuar dhe burrin dhe shtatë fëmijët e saj, të cilët ishin të ulur në audiencë.
Ajo bëri shaka duke thënë: “Siç ndodh, jam mësuar të jem në një grup prej nëntë vetësh: familja ime”. Ajo shpjegoi: “Familja jonë më përfshin mua; burrin tim, Xhesin; Emën; Vivian; Tess; Gjon Pjetrin; Liamin; Xhulietën dhe Benjaminin”. Barret dhe i shoqi kanë pesë biologjikë dhe dy të birësuar nga Haiti.