American Eye disponon një tjetër listë pagash për punonjësit shqiptarë, atë të muajit prill 2021. Në këtë listë janë 60 mijë punonjës më shumë sesa lista e muajit janar 2021. Konkretisht 694 mijë punonjës.
Krahas të dhënave të pagës, në këtë listë janë edhe numrat e telefonit për secilin punonjës. Ndërkohë kjo listë po shpërndahet masivish nëpërmjet WhatsApp.
Të mërkurën u bë publike lista e parë, ku shfaqeshin pagat e punonjësve shqiptarë. Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për këtë çështje.
Kryeministri Edi Rama bëri thirrje Prokuroria të nisë hetimet dhe përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik.
Skandali i daljes së të dhënave personale të pagave vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.