Kina dhe SHBA po ecin në një “drejtim të rrezikshëm”. Duhet bërë gjithçka për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres në fillim të debatit të përgjithshëm.
“Bota jonë nuk mund ta përballojë një të ardhme në të cilën dy ekonomitë më të mëdha ndajnë botën”, tha Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres në fillim të debatit të përgjithshëm të OKB në Nju-Jork. Duhet të bëhet gjithçka për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Kjo do të krijonte një ndarje teknologjike dhe ekonomike që mund të zgjerohej në hendek ushtarak. Guterres tërhoqi vëmendjen për rrezikun e një “luftë të ftohtë” midis SHBA dhe Kinës.
Në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i OKB bëri gjithashtu thirrje për një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar në funksion të sfidave të mëdha të paraqitura nga pandemia e koronës. Populizmi dhe nacionalizmi kanë dështuar në detyrën e kufizimit të virusit. Kjo vlen edhe për procedurat egoiste për zhvillimin e një vaksine: “një nacionalizmi i tillë i vaksinimit” jo vetëm që është i padrejtë, por “mposht dhe vetveten“.
Për luftimin aktiv të COVID-19, Guterres bëri gjithashtu sërish thirrje për një armëpushim global, i cili duhet të bëhet realitet deri në fund të vitit. “Na kanë mbetur vetëm 100 ditë. Ora po troket.”
Debati i përgjithshëm kryesisht virtual
Asambleja e Përgjithshme e OKB me rastin e 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara rezultoi shumë ndryshe nga ajo që ishte planifikuar shumë kohë më parë. Debati i përgjithshëm, zakonisht takimi më i madh diplomatik në botë, po zhvillohet këtë vit kryesisht virtualisht për shkak të pandemisë korona.
Ndërsa Guterres foli personalisht në selinë e OKB, përfaqësuesit e të gjitha 193 vendeve anëtare – përfshirë edhe mbi 150 krerë shtetesh dhe qeverish – u lidhën me video-mesazhe të regjistruara paraprakisht. Në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, vendet u përfaqësuan vetëm nga ambasadori i tyre përkatës pranë OKB.
Trumpi sulmoi në fjalimin përpara OKB-së Kinën dhe OBSH
Presidenti i SHBA Donald Trump e përdori video-mesazhin e tij për një sulm të ri frontal ndaj Kinës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). “Ne duhet t’i kërkojmë llogari atij kombi – Kinës – që lëshoi këtë virus në botë“, tha Trump në video-mesazhin e tij.
Qeveria e Pekinit nuk e ka ndaluar përhapjen globale të “virusit kinez”, përsëriti Trumpi qëndrimin e tij. “Qeveria kineze dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë – e cila praktikisht kontrollohet nga Kina – kanë deklaruar në mënyrë të gabuar se nuk ka asnjë provë të transmetimit nga njeriu në njeri.” tha Trump duke kërkuar që: “OKB-ja duhet ta bëjë Kinën përgjegjëse për veprimet e saj”, sepse p.sh. në fillim të pandemisë, Kina i lejoi qytetarët e saj të udhëtojnë jashtë “dhe të infektonin botën”.
Kina reagon e indinjuar
Ambasadori kinez pranë OKB Zhang Jun i hodhi menjëherë poshtë akuzat. Ato janë “plotësisht të pabazuara” tha diplomati në selinë e OKB në New York, përpara se të njoftonte për video-mesazhin e Presidentit Kinez Xi Jinping.
Presidenti kinez kërkoi në fjalimin e tij më shumë solidaritet dhe bashkëpunim sesa “përplasje” dhe paralajmëroi kundër “politizimit” të luftës kundër koronavirusit. Kina nuk dëshiron një “luftë të ftohtë” të re. Në mes të pandemisë korona marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kohët e fundit janë përkeqësuar masivisht, dhe konflikti tani po prek pothuajse çdo aspekt të marrëdhënieve midis dy fuqive të mëdha./DW