Nga Edlira Gjoni
Lojtari danez Eriksen duket të jetë në gjendje stabël – thotë UEFA.
E ajo që më ka lënë pa tekst, (mund të flitet, meqë lajmet janë shpresëdhënëse), është ky gjest i ekipit të Danimarkës!
E shoh. E rishoh! E vëzhgoj me shumë kërshëri!
Pas kaosit të parë, sapo mjekët filluan t’i bëjnë ndërhyrje për t’i risjellë frymën e rrahjet e zemrës, ekipi krijoi këtë GARDH!
Gardh! Për t’i dhënë njeriut privatësi. Momentit rëndësinë që i takon. Botës, kufirin te thana.
Sytë e kamerat e gjithë botës ishin aty! Por 10 shokët e ekipit krijuan dhomën e krizës, me një disiplinë e natyrshmëri goditëse!
Kur ka luftë me vdekjen, nuk ka vend për sytë kureshtarë. As për kamera. As për klikime!
Mësim kaq i hapur nga një ndeshje futbolli!
Ndërkohë ne sulmohemi me pamje si u godit me armë, si e theri me thikë, si e përdori sopatën, si u rrëzua në trotuar, si ra nga ballkoni, sa herë ka ngjarje të zeza në vend. Kur nuk i filmojnë, mediat nxitojnë t’i riprodhojnë, nga “sinkronet e familjarëve”.
Në keni sy, mendje, logjikë, arsye, Perëndi në keni: merrni mësimin e duhur nga këta! Mos na i sillni vdekjet, vrasjet, sherret, britmat në televizor e në celular.
Ne vërtet nuk dimë të bëjmë gardh e të mos iu lejojmë të aviteni te detaji si kasapë, por edhe ju MJAFT!
Tregohuni njerëz, në mos “profesionistë” raportimi!
Ja ku është raportim profesionist! Si ju bën të ndjeheni, që nuk i lanë kamerat të futen aty, te lufta me vdekjen në qiell të hapur?
Pa fjalë! E plot nevojë të di se ka në botë njerëz të tillë!