Një monolit misterioz është shfaqur në shkretëtirën e Nevadës gjatë fundjavës, duke ndezur spekulime se çfarë mund të jetë dhe kush qëndron pas tij.
Struktura u kontrollua nga Departamenti i Policisë së Las Vegasit, i cila tha se e pa atë gjatë një misioni kërkim-shpëtimi në veri të Luginës së Las Vegasit.
Monoliti është i ngjashëm me tjera struktura të çuditshme që u shfaqën në mbarë globin në vitin 2020.
Struktura e gjatë, drejtkëndore, reflektuese u pa pranë Gass Peak, një zonë shëtitjeje në shkretëtirën e Nevadës, vetëm rreth një orë në veri të Las Vegasit.
Në fotot e publikuara nga policia në rrjetet sociale, monoliti duket i vendosur në një terren paksa të thyer. “Si u ngjit atje lart?” pyet Departamenti i Policisë së Las Vegasit në rrjetet sociale.
Monolitë të ngjashëm me atë në Nevada u shfaqën në vende të ndryshme në mbarë botën rreth katër vjet më parë, duke përfshirë një në shkretëtirën e Jutës.