Numri i automjeteve që qarkullojë në vend është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në fund të tremujorit të parë 2024 në vend qarkullonin gjithsej 887 mijë automjete. Praktikisht 1 në 4 persona në vend ka një automjet.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në rrugët e Shqipërisë u shtuan 78 mijë makina, me një rritje prej gati 10%.
Marka “Mercedez Benz” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,0 %, e ndjekur nga marka “Volkswagen” me 16,0 % dhe “Daimler Chrysler” 8,6 %.
Megjithatë duket se mbretërimit të “Mercedez Benz” po i vjen gradualisht fundit, pasi “Volkswagen” po rritet më shpejt.
Diferenca mes tyre në raport me totalin e mjeteve është ngushtuar me gati 1 pikë përqindje në një vit. Nga 78 mijë automjete që u shtua në një vit, 17 mijë ishin të markës “Volkswagen”, 13 mijë ishin “Mercedez Benz”, gati 9 mijë Audi, 4.7 mijë Toyota, 3.4 mijë Ford.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2024, janë regjistruar për herë të parë 21.265 mjete rrugore. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të pare, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (84,4 %) dhe “Motor” zënë (6,4 %).
Në tremujorin e parë, marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë me 21,2 %, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 16,8 %.
Numri më i lartë i mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, është në qarkun e Tiranës, duke zënë 42,0 % ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e parë 2024.
Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, janë qarku Gjirokastër me 1,3 % dhe qarku Dibër me 1,8 %