Një prej armëve më të fuqishme në arsenalin e Marinës Amerikane bëri një shfaqje të rrallë në Guam gjatë fundjavës, duke i dërguar një mesazh aleatëve dhe armiqve të Shteteve të Bashkuara, në një kohë tensionesh gjithmonë e më shumë në rritje në zonën e Indo-Paqësorit.
Nëndetësja bërthamore USS Nevada, me 20 predha balistike “Trident” dhe dhjetëra predha bërthamore, doli në bazën detare të Guamit të shtunën, një territor amerikan në Paqësor. Kjo është hera e parë që një nëndetëse e tillë vjen në ishull prej vitit 2016, dhe hera e dytë prej vitit 1980.
“Vizita në port përforcon bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në rajon, duke treguar kapacitetet ushtarake amerikane, fleksibilitetin, gatishmërinë dhe përkushtimin tonë ndaj sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, tha Marina në një deklaratë.
Lëvizjet e kësaj kategorie mbahen zakonisht sekret deri në fund. Fakti që nëndetësja ka edhe motorë bërthamorë, do të thotë që mund të qëndrojë nën ujë për disa muaj rresht. Kufizimi i vetëm mund të jetë sasia e furnizime për ekuipazhin, që arrin në mbi 150 marinarë.
Këto nëndetëse qëndrojnë mesatarisht 77 ditë në det, para se të ndalen për rreth një muaj në port për shërbimet e mirëmbajtjes. Edhe fotografimi i një nëndetëseje të tillë mbi ujë është i rrallë, sidomos jashtë porteve ku qëndrojnë zakonisht, në Bangor, Uashington, dhe Kings Bay, Xhorxhia. Këto nëndetëse janë një prej tre mjeteve luftarake me kapacitete bërthamore të ushtrisë amerikane, bashkë me bombarduesit B-2 dhe B-52.
Sipas analistëve, shkak për daljen e nëndetëses është bërë tensioni mes Amerikës dhe Kinës për ishullin e Tajvanit, por edhe aktiviteti i shtuar ushtarak i Koresë së Veriut, që ka testuar disa predha të ndryshme që prej fillimit të vitit 2022. “Kjo i dërgon një mesazh të tjerëve: “mund të parkojmë pranë shtëpisë suaj rreth 100 predha bërthamore dhe ju as që e merrni vesh, e aq më pak të bëni ndonjë gjë për ta ndaluar”, tha Thomas Shugart, ish-kapiten nëndetëseje në Marinën Amerikane, sot analist në Qendrën e Re për Sigurinë Amerikane. Programi i nëndetëseve bërthamore koreano-veriore është ende në hapat e parë, ndërsa nëndetëset kineze janë disa herë më të zhurmshme se ato amerikane, e si rrjedhojë, lehtësisht të zbulueshme.
Prania e USS Nevada në rajon tregon se SHBA i ka në vëzhgim këto dy fuqi. “Kjo është një mundësi e mirë për Marinën që të mësojë sesi t’u “gjuajë” aktorët e tjerë në rajon”, thotë për CNN, Alessio Patalano, profesor i luftës e strategjisë në “King’s College” në Londër. “Koreja e Veriut dhe Kina duan të bëhen aktorë të rëndësishëm sa i përket mjeteve luftarake detare, specifikisht nëndetëset. Është vendim strategjik që SHBA të jetë në gjendje t’i pikasë dhe t’i ketë nën vëzhgim këto kapacitete”.