Policia spanjolle ka arrestuar në Madrid një nga trafikantët më të kërkuar në Europë.
Ai është një shqiptar, i cili drejtonte një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës që ka vepruar në fushën e kultivimit dhe trafikut të kanabisit në Belgjikë në vitet 2014-2018.
Ai është Haredin Fejzulla 59 vjeç, sipas mediave spanjolle që kanë publikuar identitetin e tij, foton dhe pamjet e momentit të arrestimit.
Ai është i dënuar me 29 vite burgim në Belgjikë për 13 akuza për trafik droge, anëtarësim në organizatën kriminale dhe falsifikim të dokumenteve.
Ndaj tij ishin lëshuar 3 urdhra-arresti në Europë.
Nga aktiviteti kriminal, autoritetet kanë përllogaritur se Haredin Fejzulla dhe organizata e tij kanë krijuar një pasuri prej 4 milionë Eurosh.