Ka zgjatur vetëm një orë protesta e banorëve në autostradën Thumanë-Kashar.
Banorët bllokuan qarkullimin duke u ulur në rrugë, ndërsa i bënë thirrje policisë të bëjë punën e saj teksa ata kërkojnë të drejtën e tyre për të protestuar.
Por pak minuta pasi u bllokua qarkullimi policia tentoi të hapte njërën anë të rrugës pasi dhjetëra makina krijuan trafik të rënduar.
Policia u përplas me banorët, duke përdorur edhe gaz lotsjellës.
“Turp, tu hedhin gaz lotsjellës fëmijëve,” u shpreh një banor i cili është i pranishëm më vajzën e tij të mitur në protestë.
Qytetarët shprehen se nuk kanë hyrje-dalje dhe se për të hyrë në rrugë, duhet që të shkojnë në Rinas.
Banorët e Krujës, Fushë Krujës dhe të Thumanës thanë se bizneset e tyre janë duke falimentuar, pasi automjetet nuk kanë kalojnë më aty.
“Rruga e re Thumanë-Kashar ka bërë që shumë biznese tonat, të shkojnë drejt falimentimit. Ne nuk kemi akses në rrugën Thumanë-Kashar. Na kanë bllokuar hyrje-daljet në rrugë”, kanë thënë protestuesit.
Qytetarët kanë thënë se protesta nuk është politike dhe deklaruan se do rikthehen sërish, derisa problemi i tyre të gjejë një zgjidhje.