Zjarrfikësit do të përfitojnë shpërblim një pagë mujore për festat e fundvitit. Kështu ka deklaruar pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“2 paga shtesë do të shkojnë për zjarrfikësit që punuan me zjarret gjatë verës në Greqi”, theksoi ministri.
Edhe punonjësit e Policisë së Shtetit janë një prej kategorive që do të marrin shpërblim, pasi sipas Ballës kryejnë një punë të vështirë duke u përballur çdo ditë me krimin.
“Shpërblim për çdo pjesëmarrje në operacione dhe trajtim ushqimor, paratë për të cilin do t’u transferohen në bankë dhe do e tërheqin përmes një karte. Do të marrin 118 mijë lekë të reja para Vitit të Ri për trajtim ushqimor.”
Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi më herët se çdo punonjës policie do t’i blejë produktet ushqimore më lirë, me rreth 20 deri në 30% ulje.