Memaliaj ngelet i vetmi qytet në jug të Shqipërisë përgjatë sistemit të kaluar që gjeje talente të fushave të ndryshme dhe një prej tyre, është edhe argjendari, Bekim Hyseni.
Ai u lind më 10 tetor të vitit 1954, në Memaliaj, me prindër Myrtezan dhe Begzo Hyseni. Babai i tij, nga Damsi dhe nëna e tij nga Kashishti, vendosen në Memaliaj për një jetë më të mirë
Arsimimin fillor deri në atë të mesëm, e kreu në vendlindje. Si fillim, ka punuar në profesionin e saldatorit dhe mekanikut në minierën e qymyrgurit të Memaliajt, nga viti 1971 deri në vitin 1984. Përgjatë punës, e kishte shumë pasion axhusterinë dhe përgjatë kësaj kohe punonte shumë gjëra artistike me gdhendje në metal e gurë alabastër dhe shumë materiale të tjera si këto.
Bekimi me të dëgjuar se në qytetin e Tepelenës kërkohej të hapej argjendari, u interesua dhe e miratuan kërkesën e tij. Në vitin 1984, kreu kursin për argjendar në Tiranë.
Po këtë vit, kthehet në Tepelenë dhe hapë repartin e argjendarisë që ishte i vetmi në jug të Shqipërisë. Këtë arritje, ai e realizoi me ndihmën e shoqërisë së tij, veçanërisht të Kiço Milo dhe Petro Done.
Ngaqë nuk kishte argjendari në jug, porositësit ishin të shumtë, të cilët vinin edhe nga qytetet dhe rrethet e tjera si Vlora, Saranda, Gjirokastëa, Përmeti, Kolonja, ..etj. Klientët porosisnin me materialin e tyre, pasi shteti nuk shiste asnjë lloj lënde. Punimet që realizonte argjendar Bekimi ishin bizhuteritë prej argjendi dhe floriri. Ai realizonte byzylykë, varëse, unaza, vath, karfica plastike dhe inoksi, togza riparime syzesh…etj. Punimet më të shumta, ishin unazat prej argjendi, pasi floriri ishte shumë i rrallë.
Në atë kohë, nuk kishte kallëpe, por të gjitha punimet bëheshin me dorë.
Në vitin 1987 ai krijoi familje me Mimoza Mati, një vajzë tepelenase dhe sjellin në jetë tre fëmijët e tyre, një vajzë dhe dy djem: Elda, Armando dhe Kristo.
Këtë profesion e ushtroi që nga viti 1984 dhe për arsye të trazirave të viteve 1997-98 u larguan familjarisht dhe emigruan për 25 vjet në Greqi, por për arsye ekonomike nuk mundi të punonte argjendar.
Argjendar Bekimi kishte për pasion peshkimin dhe shkonte shpesh për gjueti në Vjosë me shokët e tij të fëmijërisë, si Rakip Zhup, Bilbil Hoxha, Nuro Abazi e shumë të tjerë. Një tjetër pasion i tij ishte edhe loja e shahut, që e kishte shumë për zemër.
Sot argjendar Bekimi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, jetojnë në qytetin Melburne të Australisë.
Me aq sa mbaj mend, bizhuteritë që punonte argjendar Bekimi, ishin nga modelet më të larmishme dhe në miniaturë. Në brendësi të tyre, ai u shkruante edhe emrat e porositësve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në jug të Shqipërisë nuk ka patur argjendar. Si e tillë, padyshim që argjendari memaliot Bekim Hyseni, u fut në histori si i vetmi argjendar në jug, për aq sa kohë ai shërbeu.
Ai gëzon respekt të veçantë nga të gjithë bashkëqytetarët e tij dhe më gjerë, jo vetëm si argjendar profesionist, por edhe si një bashkëqytetar dhe bashkatdhetar i denjë dhe i mrekullueshëm!
Edmond Ismailati
Shkurt, 2024