Nga Astrit Patozi
Mos bëni sikur po ziheni se kush e respekton më shumë OSBE/ODIHR-in, se maksimumin e dashurisë për të e keni shprehur më 5 qershor, kur i hodhët në kosh kryerekomandimin mëse 10 vjeçar për depolitizimin e administratës zgjedhore. Dhe nënshkruat atë marrëveshje të turpshme për ta lënë gjithçka siç ishte, mjafton që kryetarokracia të mos prekej. Një palë duke bërtitur fitore, se gjoja e shpëtuan Shqipërinë nga manipulimi, që i bie se e rekomandonte me forcë OSBE/ODIHR-i, kurse pala tjetër duke bërë si e mërzitur, por ndërkohë duke mbushur xhepin me gjysmën e komisionerëve dhe të numëruesve në gjithë Shqipërinë.
Nuk ua quan njeri këtë debatin e sajuar për ruajtjen e koalicioneve si më parë, ndërkohë që ka ndryshuar kushtetuta, për të cilën janë të qartë të gjithë, si ata që po e kërkojnë, ashtu edhe ata që po shtiren sikur nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe. Çdo zvarritje në këtë drejtim mund të shërbejë vetëm për të shtyrë ditët e aleatëve të Lulzim Bashës brenda koalicionit, por asgjë më shumë se sa kaq. Nuk do të jetë e largët dita që secili prej tyre apo të gjithë bashkë do të ndajnë mendjen, nëse do të garojnë në një listë të përbashkët, apo secili më vete. Ky është i vetmi vendim që duhet të marrin dhe duke e vonuar, nuk është se fitojnë ndonjë gjë. Por tek e fundit, ky është halli i tyre, të cilit duhet t’i dalin zot vetë.
Problemi i Shqipërisë është që zgjedhjet e 25 prillit të paktën të jenë normale, se të lira dhe të ndershme, mbetet ende një fjalë e madhe në këtë vend. Dhe armikun kryesor, përveç qeverisë, që është në çdo rast aty për të vjedhur dhe manipuluar, ato kanë pikërisht komisionet e politizuara të votimit dhe të numurimit. Dhe këtë e dinë më mirë se gjithë të tjerët dashnorët e përvëluar të OSBE/ODIHR-it këto ditët e fundit, sepse për këtë punë e kanë bërë.
Por meqë jemi ende në kohë për të shkruar rregullat e lojës në Kodin Zgjedhor, ka një mënyrë për ta minimizuar rolin e çakejve politikë në qendrat e votimit, pa e prekur marrëveshjen e 5 qershorit, megjithë neverinë që kemi për të. Por e duam apo nuk e duam ne, ajo tashmë është një fakt.
Dhe kjo mund të bëhet me komisione të depolitizuara numërimi, që llogarisin vetëm votat e kandidatëve brenda listave finale të paraqitura në KQZ.
Që do të thotë se votat për partitë apo subjektet zgjedhore të vazhdojnë t’i numurojnë komisionet politike, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, por pastaj ata të dorëzojnë detyrën.
Kjo formulë garanton:
1-Mosprekjen e dakordësisë së 5 qershorit, që mund të shërbejë si zgjidhje kompromisi për të gjitha palët e interesuara për zgjedhje korrekte, duke përfshirë edhe nënshkruesit e saj.
2-Reflektimin e ndryshimeve kushtetuese te 30 korrikut si një realitet i ri në administrimin e zgjedhjeve, njësoj si hapjen e listave, pavarësisht që dikush e pëlqen, e dikush tjetër jo.
3-Nxjerrjen nga konflikti i interesit të çdo numëruesi, i cili jo vetëm karshi kundërshtarëve, por edhe brenda partisë apo subjektit të vet zgjedhor, mund të ketë kandidatë preferencialë dhe të tjerë të padëshiruar.
4-Krijimin e një mekanizmi verifikues për vetë komisionerët politikë, të cilët do të kenë parasysh se dikush tjetër do ta çertifikojë rezultatin e dalë prej tyre, gjë që me siguri do t’i bëjë më pak trima se më parë për të manipuluar rezultatin.
Mjafton kaq pak të bëjmë për ta ndryshuar kryekëput dhe paradhënie atmosferën dhe pse jo edhe fatin e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, të cilat janë të kërcënuara kryesisht prej atyre, që sot po bëjnë be për kokën e OSBE/ODIHR-it.