Bota “Një raketë franceze rrëzoi avionin italian në 1980, në një përpjekje për...

“Një raketë franceze rrëzoi avionin italian në 1980, në një përpjekje për të vrarë Gadafin. Macron të kërkojë falje”

Në një intervistë të botuar të shtunën ish-Kryeministri italian Giuliano Amato, pretendoi se një raketë e forcave ajrore franceze kishte rrëzuar aksidentalisht një avion italian me pasagjerë mbi Detin Mesdhe në vitin 1980, në një përpjekje të dështuar, për të vrarë udhëheqësin e atëhershëm të Libisë, Moammar Gadafi.

Dy herë kryeministri Giuliano Amato i bëri thirrje presidentit francez Emmanuel Macron që ose ta përgënjeshtrojë ose ta konfirmojë pohimin e tij, lidhur me shkakun e rrëzimit më 27 qershor të vitit 1980, të një avioni që kryente fluturime të brendshme në Itali, ku si pasojë humbën jetën të 81 personat në bord.

Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘La Repubblica’, zoti Amato tha se është i bindur se avioni ishte goditur nga forcat ajrore franceze ndërsa kishte në shënjestër një avion ushtarak libian.

Zoti Amato pranoi se nuk kishte prova konkrete për ta mbështetur këtë pretendim, por shtoi gjithashtu se Italia kishte informuar në atë kohë Gadafin dhe ndaj sipas tij udhëheqësi libian, i cili po kthehej në Tripoli, nga një takim në ish-Jugosllavi, nuk kishte hipur në avionin ushtarak libian.

Aksidenti i vitit 1980 me avionin italian me pasagjerë, vazhdon të mbetet një nga misteret më të qëndrueshme në Italinë e kohëve moderne. Disa thonë se ngjarja ishte pasojë e një bombe që kishte shpërthyer në bordin e avionit që po fluturonte nga Bolonja drejt Siçilisë, ndërsa të tjerë thonë se nga ekzaminimi i mbetjeve të nxjerra nga fundi i detit, disa vite më vonë, rezultoi se avioni ishte goditur nga një raketë.

Gjurmët e radarit tregonin një mori aktivitetesh me avionë në atë pjesë të qiellit në momentin e aksidentit.

“Versioni më i besueshëm është ai i përgjegjësisë së forcave ajrore franceze për çka ndodhi atë mbrëmje të 27 qershorit, në bashkëpunim me amerikanët”, citohet të ketë thënë zoti Amato.

NATO planifikonte të “simulonte një stërvitje, me shumë avionë në veprim, gjatë së cilës supozohej të hidhej dhe një raketë” që do të kishte Gadafin si objektiv, tha zoti Amato.

Pas rrëzimit, zyrtarët francezë, amerikanë dhe të NATO-s mohuan që atë ditë të kishin zhvilluar aktivitete ajrore ushtarake.

Sipas zotit Amato, raketa dyshohet se është gjuajtur nga një avion luftarak francez e cila ishte nisur nga një aeroplanmbajtëse, që ndodhej ndoshta në brigjet jugore të Korsikës.

Presidenti Macron, 45 vjeç, ishte fëmijë në kohën kur ndodhi aksidenti.

“Pyes veten se përse një president i ri në moshë si Macron-i, nuk do të donte të hiqte turpin që rëndon mbi Francën”, tha zoti Amato për ‘La Repubblica-n’. “Dhe ai mund ta heqë këtë vetëm në dy mënyra – ose duke demonstruar se kjo tezë është e pabazuar ose pasi të verifikohet themeli i (tezës), duke i kërkuar faljen më të thellë Italisë dhe familjeve të viktimave në emër të qeverisë së tij”.

Zoti Amato, 85 vjeç, tha se në vitin 2000, kur ishte kryeministër, ai u kishte shkruar presidentëve të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, përkatësisht Bill Clinton-it dhe Zhak Shirak-ut, për t’i bërë presion për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi. Por kërkesat e tij tha ai, kishin ndeshur në heshtjen totale të tyre.

E pyetur nga Associated Press, zyra e zotit Macron tha të shtunën se nuk do të komentonte menjëherë rreth deklaratave të zotit Amato.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i bëri thirrje zoti Amatos të thotë nëse ka elementë konkretë për të mbështetur pohimet e tij, në mënyrë që qeveria e saj të mund të ndjekë mëtej këtë çështje.

Fjalët e zotit Amato “meritojnë vëmendje”, tha zonja Meloni në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj, ndërsa vuri në dukje se pohimet e ish-kryeministrit ishin “ishin deduksione personale të tij”.

Pohimet për përfshirjen e Francës në këtë aksident nuk janë të reja. Në një intervistë televizive të vitit 2008, ish-Presidenti italian Francesco Cossiga, i cili shërbente si kryeministër kur ndodhi incidenti, tha se një raketë franceze kishte goditur avionin, por objektiv i saj kishte qenë një avion ushtarak libian. Zoti Cossiga tha gjithashtu se kishte mësuar se dega ushtarake e shërbimeve sekrete italiane kishte informuar Gadafin mbi sulmin e mundshëm.

Moammar Gadafi u vra në luftën civile të Libisë në vitin 2011.

Disa javë pas rrëzimit të avionit italian me pasagjerë, mbetjet e një avioni ushtarak libian MiG, me trupin tejet të dekompozuar të pilotit të tij, u zbuluan në malet e largëta në jug të Kalabrisë.