Kryesore Një raport thotë se shqiptarët nuk janë bujarë, por tërmeti…

Një raport thotë se shqiptarët nuk janë bujarë, por tërmeti…

“Bukë e kripë e zemër të bardhë” nuk është më shprehja që karakterizon shqiptarët, të paktën sipas “Charities Aid Foundation”, një rrjet organizatash bamirëse me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që thotë se shqiptarët nuk bëjnë pjesë në listën e popujve bujarë, përkundrazi.

Organizata amerikane ka publikuar për vitin e dhjetë raportin, sipas të cilit vetëm 23 për qind e shqiptarëve janë të gatshëm të ndihmojnë një të huaj përmes shumave në të holla, apo përmes shpenzimit të kohës së tyre si vullnetarë.

Kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 105, nga 140 vende për vitin 2019, me një përkeqësim me -1 vend në krahasim me 2018.

Gjithsesi, metodologjia e përdorur nga CAF për të përpiluar këtë raport mund të mos jetë mjeti më i mirë matës për bujarinë e shqiptarëve.

Kriteri kryesor i përdorur nga ky rrjet është ai i dhurimeve financiare, ku shqiptarët, përveç mundësive të kufizuara në krahasim me vendet e zhvilluara, cilësohen edhe shumë mosbesues ndaj kësaj forme bamirësie.

Por tërmeti e rrëzoi këtë teori. Shqiptarët për t’iu gjendur pranë banorëve të prekur nga tërmeti në Durrës e Thumanë, dhuruan ushqime e veshmbathje, por edhe shuma të konsiderueshme parash në llogaritë e fondacioneve të ndryshme.

Duke kategorizuar në llojet dhe format e ndihmës, CAF thotë se 35 për qind e shqiptarëve janë të gatshëm që të ndihmojnë një të huaj kur kërkon ndihmë, 21 për qind e tyre kanë dhuruar para për ndihmë për 2019, ndërsa vullnetarizmi për të shpenzuar kohë për një kauzë, apo për bamirësi është minimal me vetëm 9 për qind.

Lajmi i mirë në këtë raport të CAF është se shqiptarët e Kosovës renditen të parët në rajon sa i takon bujarisë.

Rrjeti thotë se në këtë raport pasqyrohen pikëpamjet e 1.3 milion njerëzve nga 125 vende të botës.

“U analizuan pikëpamjet e tyre për një periudhë të gjatë kohore, që përfshin nga nisja e krizës financiare, kulmi i krizës, nisja e rimëkëmbjes së shumë ekonomive dhe deri tek periudha e fundit e pasigurisë gjeopolitike”, thotë CAF.

CAF identifikon prirje shqetësuese këtë vit. “SHBA doli si vendi më bujar në botë në këtë studim, por numri i personave dhe shifrave që u dhuruan u përgjysmuan në vitet e fundit, thuajse në të gjitha vendet e zhvilluara. Nga rezultatet kuptojmë se bujaria nuk lidhet as me një vend, apo rajon, as me kulturën, apo besimin fetar dhe as me mirëqënien e shoqërisë”, thotë CAF.