Sport Një rekord botëror dhe strategji lodhjeje: Si po e mposht norvegjezi Carlsen...

Një rekord botëror dhe strategji lodhjeje: Si po e mposht norvegjezi Carlsen rusin Nepo

Magnus Carlsen ka hedhur njërën dorë mbi trofeun e kampionit të botës në shah. Norvegjezi barazoi në ndeshjen e dhjetë ndaj rusit, Ian Nepomniachtchi duke ruajtur avantazhin e tri pikëve, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar.

Carlsen udhëheq 6.5 me 3.5, ndërsa ka avantazhin në letër që në katër ndeshjet e mbetura, në dy prej tyre do ta nisë lojën me të bardhët. Ndeshja e 11-të luhet ditën e premte. Rusi Nepo luan me të bardhët dhe ndeshja parashikohet që të jetë interesante, nisur nga fakti që fitorja është e vetmja mundësi që ai ta mbajë veten ende në lojë matematikisht për të përmbysur rezultatin.

Pesë ndeshjet e para të finales mes dy Mjeshtrave të Mëdhenj të sportit të shahut u mbyllën në barazim. Ajo që duket se do të përcaktojë edhe fituesin në fund ishte ndeshja e gjashtë, e fituar nga Carlsen pas rekordit të 136 lëvizjeve, duke u bërë ndeshja më e gjatë e kupës së botës. Rekordi i mëparshëm mbahej me 124 lëvizje në ndeshjen mes Korxhnoi dhe Karpovit në vitin e largët 1978.

Ndeshja e gjashtë zgjati shtatë orë e 47 minuta dhe Carlsen e fitoi atë falë një gafe të rusit Nepo, që humbi përqendrimin para norvegjezit dhe kampionit në fuqi të botës. Në lëvizjen e 25-të, Carlsen u vendos nën presionin nëse duhej të shkëmbente mbretëreshën me dy kullat e rusit.

“Ndjeva se të dy po rrezikonim shumë, por ndjeva gjithashtu se të zinjtë (Nepo) kishte marrë përsipër një rrezik më të madh ndaj shkova për shkëmbimin”, tha pas ndeshjes norvegjezi Carlsen.

Ndjesia i dha të drejtë. Carlsen e fitoi ndeshjen në fund dhe shkoi me qetësinë e avantazhit të një pike në ndeshjen e shtatë. Kjo u mbyll në barazim, ndërsa dy ndeshjet e tjera, e teta dhe e nënta përfunduan me fitore të shpejta të norvegjezit falë gafave të dyfishta të shahistit rus.

Vendimtare, sipas Yuri Kasparov, kampion i shumëfishtë bote në këtë sport dhe një prej shahistëve më të mirë në historinë e këtij sporti ishte ndeshja e gjashtë. “Nepo e humbi në ndeshjen e gjashtë. Carlsen e lodhi dhe më pas e goditi. Edhe gafat që pasuan në ndeshjen e tetë dhe të nëntë janë pasojë e lodhjes, demoralizimit dhe humbjes së përqendrimit”, shkroi ai në një editorial kushtuar kësaj finaleje.

Në fakt, në të tija ndeshjet e humbura deri më tani, rusi Ian Nepomniachtchi në faza të caktuara të lojës ka qenë i pozicionuar më mirë në fushë se sa Carlsen, por këtij të fundit i kanë mjaftuar në të tria ndeshjet gabimet më të vogla të rusit për t’i shfrytëzuar ato në maksimum.

Nëse në fund nuk do të ketë ndonjë surprizë, ky do të ishte titulli i tretë radhazi kampion bote në shah për Magnus Carlsen. Çmimi në këtë finale është 2 milionë dollarë, që ndahen 60 për qind për fituesin dhe 40 për qind për humbësin.