Extra Një rrëfim për Jennifer Lopez me fjalët e saj dhe të të...

Një rrëfim për Jennifer Lopez me fjalët e saj dhe të të tjerëve

Pas një karrierë 30-vjeçare si kërcimtare, aktore, këngëtare dhe biznesmene, Jennifer Lopez jo vetëm që po jeton ëndrrën e saj, por është në formën më të mirë.

51-vjeçarja duket mahnitëse në kopertinën e numrit më të ri të revistës “InStyle”, ku përfshihet edhe një artikull ekskluziv i cili fokusohet në punën dhe karrierën e saj. Pjesë e artikullit të titulluar “Jennifer Lopez in Her Own Words (and Everyone Else’s)”, janë edhe ish i fejuari i yllit JLo, Ben Affleck dhe ish-bashkëshorti i saj, Marc Anthony, të cilët folën për karrierën e saj të suksesshme dhe për etikën e mrekullueshme të punës.

“Gjëja më interesante në lidhje me Jenniferin është aftësia e saj për t’i parë dhe kuptuar gjërat para se të ndodhin. Madje para se të prezantojë një ide para njerëzve, ajo tashmë e ka vizualizuar atë një mijë herë në kokën e saj”, ka deklaruar ish-burri i Lopez, këngëtari latin Marc Anthony, me të cilin ajo ka dy binjakët Max dhe Emme.

Ish i fejuari i këngëtares dhe aktores së njohur, Ben Affleck, i cili ka luajtur krahas saj në filmat “Gigli” dhe “Jersey Girl”, gjithashtu ka folur për Lopez  rreth etikës së mrekullueshme të punës.

“Mendova se unë e kisha një etikë të mirë pune, por mbeta i habitur dhe mahnitur nga gjërat që ajo arrinte t’i bënte ditë për ditë”, ka thënë ai.

JLo u shpreh se të gjitha meritat për arritjet e saj i kanë dashuria dhe pasioni për punën. Përgjatë gjithë artikullit, kolegë të ndryshëm të Lopezit folën për atë si nënë, ikonë e modës dhe filantrope, por një gjë nuk mund ta mohonin asnjëri prej tyre, është fiziku dhe bukuria që e karakterizojnë atë.