Një rrugë në New York ka marrë emrin e poetit dhe diplomatit të njohur shqiptar Fan Noli.
Lajmi është bërë me dije nga shoqëria “Besa Besën”, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.
Shoqata shkruan se rruga në Bonx do të mbajë emrin e figurës së ndritur të kombit shqiptar ndërsa ka ndarë edhe disa foto nga ceremonia e mbajtur një ditë më parë.
“Sot patëm nderin e veçantë të marrim pjesë në një nga ngjarjet më madhështore të ndodhur ndonjëherë këtu në diasporën shqiptare të Amerikës.
Nga sot një nga rrugët në Bonx, New York do të mbaj emrin e figurës së ndritur të kombit shqiptar Fan Noli, faleminderit për të gjithë punën e palodhur (…) që kanë mbështetur këtë iniciativë duke bashkëpunuar ngushtë me autoritet lokale për ta bërë realitet këtë ditë e cila do të mbetet në histori për mbarë shqiptarët kudo që jetojnë”, thotë shoqata.
Ndërsa Elmi Berisha, kryetar i organizatës Vatra tha:
“Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar. At Fan Noli, një prej shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar përjetësohet me emrin e një rruge në New York.
Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale.
At Fan Noli përktheu në shqip shërbesat e Kishës Ortodokse, përktheu kryevepra të letërsisë botërore, shkroi poezi politike, ishte klerik, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, deputet dhe Kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë, drejtues i Diellit e themelues i Vatrës, një figurë e padiskutueshme poliedrike e kombit shqiptar. Kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës.
At Fan Noli ishte një përkthyes i pashoq, erudit i rrallë, një filozof i mprehtë, poet i zjarrtë, historian i konfirmuar, politikan i shquar dhe një fetar i bekuar. Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij. Askush si ai nuk u investua për të mirën e popullit, shtetit e kombit shqiptar.
Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të At Fan Nolit”.