Universi është kaq i madh dhe ka disa “botë” me potencial për jetë. Atëherë, ku janë të gjithë?
Në rast se keni harruar, në fillim të 2020-ës, pas 16 viteve fshehtësi, Pentagoni ka publikuar pamjet e UFO-ve të cilat kanë bërë që shumë të pyesin, për herë të njëqindtë: A jemi vërtet vetëm në univers, apo alienët janë tashmë mes nesh?
Për vite me radhë, këto pyetje kanë ndarë shkencëtarët, adhuruesit e fanta-shkencës dhe teoricienët e konspiracionit.
Në zemër të tij, ky është ai që quhet “Paradoksi i Fermit”: Anomalia shkencore që tregon se pavarësisht se ka miliarda yje në galaktikë dhe jashtë saj, ne kurrë nuk kemi hasur ndonjë shenjë të një civilizimi konkret e të përparuar alien.
Megjithëse janë dhënë shumë shpjegime se pse nuk kemi takuar alienë, asnjë nuk ka qenë plotësisht bindës ose i pranuar botërisht.
Me pak fjalë, në një botë ku ne jemi të fiksuar për të zbuluar çdo gjë të vogël, kjo është një pyetje e madhe, përgjigjen e së cilës nuk e dimë me siguri.
Sidoqoftë, dy vjet më parë, fizikanti rus Alexander Berezin, nga Universiteti Kombëtar i Kërkimeve të Teknologjisë Elektronike (MIET), kishte një teori.
Ai sugjeroi që sapo një civilizim të arrijë aftësitë e përhapjes nëpër yje, ai do të zhdukë në mënyrë të pashmangshme të gjitha civilizimet e tjera.
Fiks çfarë na duhej të dëgjonim…
Teoria nuk bën hipotezë për një racë aliene domosdoshmërisht të keqe, që do të zhdukte me vetëdije format e tjera të jetës, por ideja është aq ata mund të “mos na vënë re” dhe zgjerimi i tyre eksponencial nëpër galaktikë të jetë më i rëndësishëm për ta, sesa ne.
Duke supozuar se hipoteza e mësipërme është e saktë, çfarë do të thotë për të ardhmen tonë?
Shpjegimi i vetëm është thirrja e “parimit antropik”. Ne jemi të parët që arrijmë në fazën ndëryjore dhe, ka shumë të ngjarë, të jemi të fundit që do largohen.
Ai përmend kolonializmin dhe kapitalizmin, si dy shembuj historikë të forcave që përfundimisht do të nxisin njerëzit të shkatërrojnë kulturat e tjera.
Përsëri, një shkatërrim i tillë i mundshëm nuk do të ketë nevojë të projektohet ose orkestrohet me dashje, ai mund të ndodhë si pasojë e një sistemi krejtësisht të pakufizuar, më i madh se përpjekjet e çdo individi për ta kontrolluar atë.
Një tjetër shembull që Berezin jep është edhe rreziku nga inteligjenca artificiale (AI).
“Një AI mund të krijojë kopje të vetvetes dhe ta kthejë çdo sistem diellor në një superkompjuter, pa ndonjë qëllim specifik.”
Berezin thotë se shpreson të jetë gabim dhe në fakt, kështu shpresojmë të gjithë.