Prokurori i SPAK Adnan Xholi në konferencë të përbashkët me kreun e këtij institucioni Arben Kraja kanë dhënë sot detaje sa i takon operacionit të djeshëm anti-drogë në Frakull të Fierit.
I pyetur nga gazetari Spartak Koka, nëse një nga financuesit shqiptar të kësaj sasie droge mund të jetë rezident sot në Dubai, Xholi theksoi se një nga të arrestuarit rezulton me vendbanim në Shqipëri.
Prokurori shtoi se çështja është regjistruar si formë e bashkëpunimit kriminal dhe ende nuk dihet nëse të arrestuarit kanë lidhje me grupe të strukturuara kriminale në vendet e tjera të rajonit.
Gazetari: Keni arritur të identifikoni financuesin, kemi të bëjmë me një financues apo një grup të strukturuar kriminal?
Prokurori Adnan Xholi: Çështja është regjistruar për grup të strukturuar kriminal, pra forma e posaçme e bashkëpunimit.
Gazetari: A keni informacion nëse një nga këta financues, të jetë shtetas shqiptar sot rezident në Dubai dhe a e kontrollojnë atë dhe kanë qenë pjesë aktive e ardhjes së kësaj sasie në Shqipëri?
Prokurori Adnan Xholi: Unë jam prokuror, jo fallxhor…dhe nuk e them dot se ku mund të jenë financuesit. Ai që është në Shqipëri, po është shtetas shqiptar me banim në Shqipëri, pjesën tjetër t’ia lëmë hetimit.