– Pjesa e tretë, pjesën e dytë e lexoni këtu–
Tragjedi dhe komedi.
Shyqo Qerozi dhe traktori i tij, mbiemrin në mos gaboj e kishte Hosha.
Në ofiçinë, kishim në dispozicion dhe një traktor me zinxhirë, i cili në kohën e dimrit, para se të rritej niveli i Vjosës, duhet të kalonte matanë lumit dhe rinte në gatishmëri për të rimorquar dhe ndezur disa makina të tipit “Zis” riportabël, që punonin për nevojat e të tre sektorëve.
Shyqua, ishte ai që përdorte traktorin dhe ishte caktuar, për ta kaluar gjithmonë përtej lumit, në kohën e duhur. Një dimër neglizhoi dhe kur pa që Vjosa po turbullohej dhe po rriste nivelin, vrapoi pa i thënë njeriut dhe futi traktorin të kalonte përtej lumit.
Lumi ishte rritur rreth një metër në mesin e tij. Duke mos zbatuar rregullat, për kalimin e traktorit në kushtet e paracaktuara, kur vajti në mes dhe e zuri frika, ndërroi marshin dhe futi të dytin. Dy disqet e freksionit të traktorit, u lagën dhe filluan të slidonin. Traktori mbeti. Nuk i kish hequr si rregull, rripin e ventilatorit dhe traktori u kthye në drejtim të rrjedhës së lumit. Menjëherë e fiku, se ndryshe do mbrinte në Novoselë dhe më tej, në detin Adriatik. Në atë kohë, doli menjëherë nga kabina, hyri mbi kofanon e traktorit dhe filloi të bërtiste.
Kalamajtë që zbuluan të parët këtë punë, erdhën në vrapë në ofiçinë dhe na lajmëruan.
Unë sapo isha kthyer nga fshati dhe kisha përgjegjësi, për këtë veprim të gabuar të tij.
U nisëm të gjithë drejtë lumit. Së bashku me ne, ishte edhe drejtori dhe gjithë personeli inxhiniero-teknik. Kur shkuam, pamë që lumi ishte rritur dhe Shyqos i ishin futur këmbët, 30 cm në ujë. Ai po qëndronte mbi kofanon dhe po bërtiste me fortë: – Më ndihmoni të shpejtojmë traktorin.
Në moment, vendosëm të marrim një litar lini me diametër 20 mm në magazinë dhe menjëherë e lidhëm në një pemë të trash, në të njëjtin drejtim me traktorin. Litarin ku do të mbahej Shyqua, e kaluam shumë shpejt përtej lumit me “Lundrën e Metit” dhe do ta tërhiqnin disa punëtorë dhe minatorë, që ndodheshin matan lumit. Niveli i lumit, sapo vinte dhe rritej më shumë. Shyqo Qerozi, trimi që donte t’i shpëtonin traktorin, i cili kishte hipur nga frika mbi kabinën e traktorit, që akoma nuk ishte mbuluar nga uji, bërtiste:
– Më shpëtoni mua, se e paguaj unë traktorin.
Punëtorët e dinin, që Shyqua nuk dinte not.
Pesë veta e tërhiqnin fortë litarin, që të mos takonte lumin dhe Meti e shkelte me këmbën që mbante veshur këpucën Nr. 49. Sesi u mbleksën gjërat dhe litari mbërtheu këmbën e Metit, Ata e lironin litarin, ndërsa lumi e shtrëngonte. Mezi liruan këmbën e tij, e cila ishte nxirë dhe Meti iku drejt e në spital.
Kaluam litarin dhe e çuam në drejtim me Shyqon.
Ai po dridhej dhe po shikonte vdekjen me sy.
Vendosëm të shkojnë dy notarë pranë tij që ta mbanin. Ata ishin: himarioti, Vasil Çaçi, i cili punonte elektricist në “Sektorin e parë” dhe Halit Minxholli. Të dy, edhe pse dinin shumë mirë not, iu deshën të tentonin tre herë, që të hipnin mbi kabinën e traktorit, ku Shyqua qëndronte, por nuk i lejonte rryma e ujit që krijohej nga përplasja me kabinën.
Sa herë rrëshqisnin ata, aq herë Shyqua dridhej nga frika.
Të tre u kapën të tek litari. Shyqua u vendos në mes të tyre dhe duke lëvizur duart, afroheshin drejt anës së lumit. Shyqos, siç ishte i lodhur, iu zgjatën duart. Menjëherë vendosëm dhe me një shpatë, premë litarin të pema, që ta tërhiqnin më shpejtë. Nga lodhja, pas disa sekondash, Shyqua u lushua në lumë. Dhjetë veta vrapuam rreth 20 m më poshtë lumit dhe krijuam një gardh, me shpresën se do e prisnim. Për fat të mirë të tij, ai u përplas tek këmbët tona dhe pasi e kapëm kokë e këmbë, e nxorëm në breg të lumit.
Një doktor i ndodhur me ne, filloi ta ndihmonte, pasi Shyqua kishte pirë shumë ujë.
Doktori e ktheu varur me kokën poshtë dhe mundësoi nxjerrjen e ujit, që kishte pirë Shyqua. Pas disa minutash, u përmend. E morëm dhe menjëherë e transportuam me një ambulancë në spitalin e Tepelenës. Shpëtoi Shyqo trimi, po mbeti në histori, që po përmendet edhe nga unë dhe po shkruhet sot. Më vonë, ai punoi për disa vjet, si taksixhi në Tepelenë. Nuk e di nëse jeton akoma, por di të them se lindi me fat.
Përgatiti: Edmond Ismailati