Studime të reja hedhin dritë mbi radhën e shfaqjes së simptomave të koronavirusit.
Shenja e hershme e koronavirusit ka shumë të ngjarë të shfaqen si ethe tek pacientët e infektuar, më pas vjen kolla dhe dhimbjet muskulore, sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, botuar në revistën “Frontiers in Health Health”.
Më pas, mund të vijnë simptoma të tjera si të përziera, të vjella dhe diarre.
Gjetjet e fundit janë një përparim i madh në studimin e koronavirusit, pasi pacientët tani do të jenë në gjendje të identifikojnë dhe trajtojnë më shpejt sëmundjen.
“Ky rend është veçanërisht i rëndësishëm për të ditur kur kemi cikle mbivendosëse të sëmundjeve si gripi që përkojnë me infeksionet e COVID-19”, tha Peter Kuhn, profesor i shkencave biologjike dhe mjekësisë, që mori pjesë në studim. “Mjekët mund të përcaktojnë se çfarë hapash duhet të ndërmarrin për t’u kujdesur për pacientin, dhe ata mund të parandalojnë përkeqësimin e gjendjes së pacientit”.
Diagnostikimi i hershëm është thelbësor për ndalimin e virusit para se të bëhet më serioz.
“Duke pasur parasysh se tani ka qasje më të mira për trajtimet për COVID-19, duke identifikuar pacientët më herët mund të zvogëlojmë kohën e shtrimit në spital“, tha Joseph Larsen, kandidat për doktoratë dhe studiuesi kryesor në studim. “Rendi i simptomave ka rëndësi. Të dish se çdo sëmundje përparon në mënyra të ndryshme, do të thotë që mjekët mund të identifikojnë më shpejt nëse dikush ka të ngjarë të ketë COVID-19, ose ndonjë sëmundje tjetër, e cila mund t’i ndihmojë ata të marrin vendime më të mira për trajtim”.
Simptomat fillestare të koronavirusit janë shumë të ngjashme me sëmundjet e tjera të frymëmarrjes si MERS dhe SARS, por është koha kur shfaqen problemet gastrointestinale ajo që e dallon COVID-19 nga të tjerat.
“Trakti i sipërm GI (d.m.th., nauze / vjellje) duket se preket para traktit të poshtëm (d.m.th., diarre) në COVID-19, që është e kundërta nga MERS dhe SARS”, thonë studiuesit.
Studiuesit e USC analizuan të dhënat e mbledhura nga Organizata Botërore e Shëndetit në Kinë ndërmjet 16 dhe 24 shkurt të më shumë se 55 000 rasteve të konfirmuara me koronavirus. Shkencëtarët gjithashtu analizuan edhe rreth 1 100 rasteve të mbledhura nga 11 dhjetori deri më 29 janar nga Grupi i Ekspertëve të Trajtimit Mjekësor në Kinë përmes Komisionit Kombëtar të Shëndetit në Kinë.
Më pas, ata i krahasuan shifrat me të dhënat e simptomave të gripit të 2 470 rasteve në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Hemisferën Jugore që u raportuan autoriteteve shëndetësore nga 1994 deri në 1998. / New York Post