Pas Vasilika Hysit, një tjetër deputete është larguar nga politika dhe nuk do të jetë pjesë e listave zgjedhore më 25 Prill. Eglantina Gjermeni ka ndjekur nga pas deputetët socialistë që kanë vendosur që t’i lënë vend të rinjve në politikë.
Kreu i qeverisë Edi Rama tha se Gjermeni dhe Hysi kanë kërkuar që të “rrinë rehat”. Kryeministri u shpreh se këto dy deputete do t’i lenë hapësirë emrave të rinj si Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Najada Çomo dhe Luljeta Bozo.
“Unë shpresoj që të mos rrinë rehat, por kështu ishte kërkesa. Eglantina nuk e di sa kohë është, më takoi dhe tha unë, dua mirëkuptimin tuaj që të ndërroj edhe njëherë jetë, tani dua ta ndërroj edhe njëherë tjetër se kam akoma rini dhe fuqi për të ndenjur dhe dua thjesht të jem në rolin e njeriut që jep këshilla kur kërkon këshilla. Vasilika më tha mu rritën kalamajtë, të gjithë kalamajtë janë gati të marrin stafetën që nga vajza Etilda, tek vajza tjetër Klotilda, tek djali i madh Toni. Me shumë përulësi mirënjohje dhe respekt, unë porosita dy tufa lulesh të mëdha”, tha Rama.
Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni kanë qenë pjesë e PS-së prej 12 vjetësh si dhe kanë mbajtur poste të rëndësishme në Kuvend dhe qeveri. Tërheqje nga politika kanë dhënë edhe Besnik Bare e Sadi Vorpsi.