Opinione Një tjetër mrekulli që Zoti bëri tek unë…

Një tjetër mrekulli që Zoti bëri tek unë…

Nga Edmond Ismailati

Të dashur të afërm, miq, shokë, të njohur të vjetër dhe të rinj dhe lexues të nderuar! Dua të ndaj me ju, një tjetër mrekulli që Zoti bëri tek unë, pasi në familjen time, ka bërë akoma më shumë!

Janë të panumërta mrekullitë; ashtu siç janë tek unë fatkeqësitë edhe tek unë me përjetime tragjike; ku kam shpëtuar disa herë nga plumbat e snajperistëve në një nga mbrëmjet në qendër të qytetit dhe buzë lumit Vjosës nga Kasaphana (në trazirat 1997-ës). Emri im ishte në kryesimin e listës për t’u vrarë nga i ardhuri i posaçëm nga Tirana, për të eleminuar 36-të memaliotë, por për fatin tim të mirë, ky kontaktoi dhe pyeti mikun tim memaliotin, A.H ku në krah të këtij të fundit ishte edhe dajua im. Të dy ja bënë të pamundur misionin e tij me pasoja tragjike (për të trija rastet të 1997-ës, dëshmitarët janë ende gjallë). Plumbat nga qitjet sporadike (vite më parë por edhe përgjatë trazirave të 1997-ës), aksidentet elektrike që i ndodhin çdokujt në vegjëli, për të ndihmuar të tjerët, por edhe nga ato automobilistike, që janë ndër më të shumtat, si këmbësor apo përgjatë drejtimit të automjetit! Njëra më tragjike se tjetra, por dora e Zotit më ka mbrojtur, ku më ka dhënë vazhdimësi jete, jetë kjo që vazhdon dhe me jep mundësi edhe sot që po ju shkruaj në këtë letër falënderimi.

Përjetimi i fundit tek unë, është një tjetër mrekulli nga Zoti, i cili e di cilët janë fëmijët e Tij dhe i besojnë Atij, të cilët japin edhe jetën e tyre për Zotin, për njerëzit që i rrethojnë dhe ata që i njohin përgjatë udhëtimit të jetës, pasi ne jemi në duart të Madhit Zot.

Tragjeditë janë nga më të paimagjinueshmet dhe nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, përveç një momenti, nëse përfundojnë me fatalitet, pikë takimi ky që vendoset nga Zoti për drejtimin që merr shpirti; për në Parajsë apo për në Ferri, e cila varet nga çfarë kemi bërë përgjatë rrugëtimit tonë të jetës.

Në rastin tim të fundit, që ishte nga më tragjikët edhe pse të tillë i kam përjetuar disa herë  edhe rastet e tjetra, por ngaqë ky është i fundit, përjetohet edhe më tragjik. Isha për arsye pune në qytetin Ogden të shtetit Utah, mijëra km larg Nju Jorkut, aty ku banoj familjarisht. Isha duke ecur si këmbësor në mbrëmjen e të shtunës që kaloi (19.01.2019 ora 22:47), kur shoh se një automjet rreth 200 m larg po vinte me mbi 50 milje (mbi 80 km/orë), më afrohet dhe u shtanga, ndjenjë kjo që më mbërtheu në vend të dyja këmbët aty ku isha. 5-8 m para se të më godiste. Në ato momente, duke menduar vetëm fundin, vetëm bërtita “ZOT, më ndihmo…”. Menjëherë mblodha duart fortë, bashkë me ushqimin që po mbaja ndër duar, të cilin sapo e kisha blerë në Fast Food Arby’s, po ashtu edhe krahët duke i tendosur rreth trupit e duke u bërë si një gjymtyrë e vetme, njësoj sikur po përgatitesha për një dyluftim me ndonjë kafshë të egër, të fort dhe gjigande, por kësaj here ishte një automjet i madhësisë së një fuoristrade. Drejtuesi i jepte më shumë shpejtësi, sikur kishte planifikuar më parë për të më vrarë, pra dëshira e “Djallit” e kishte pushtuar!

Pasi bëmë dyluftimin; e gjeta veten në ajër, mbi më shumë se10 m, rashë me kokë në mbulesën e motorit duke marr goditjen tjetër, bie më pas me sheshin e kokës në asfalt dhe makina akoma ecte, por në momentin që kokën e ndjeva të kapte pjesën e poshtme të parakolpit, mendova se kaq ishte dhe po përjetoja sekondën e fundit, sërisht isha duke kërkuar me thirrje ndihmën e Zotit!

Makina në moment ndaloi, edhe pse ishte akoma me shpejtësi!

Ishte dora e të Madhit ZOT!

U habita sesi e gjeta veten në krahun tjetër të rrugës, pasi kjo rrugë është me 6 korsi (nga 3 korsi në çdo kah të kundërt të njëra-tjetrës); pra rruga e gjithë rruga ishte mbi 40 m e gjerë. U gjenda në krahun tjetër, po përballë Fast food Arby’s, që sapo e lashë 5 min para se të ndodhte aksidenti! Kjo ndodhi pasi mora goditjen dhe drejtuesja i automjetit, e trembur, do ketë prerë timonin nga e majta e saj, ku në mesin e trajektores që bëri ajo me makinë dhe unë duke ftuturuar në ajër, kam rënë me kokë mbi kapakun e motorit të automjetit, ku mora goditjen tjetër, pasi makina ishte duke ecur derisa rashë me sheshin e kokës në asfalt. Nga rënia në asfalt, mora një tjetër goditje, e cila më hoqi një rrip të lëkurës së kokës bashkë me flokët, që për mua është një mrekulli e cila shmangu edhe hemoragjitë e brendshme. Edhe pse vazhdonte kjo trajektore për të dy në të njëjtën kohë, në momentin që u krye plotë, makina që më ndiqte, ndaloi dhe unë rashë me kokë në asfalt, por Zoti e bëri këtë për t’i bërë sa më të pakta goditjet.

Duke menduar se mos drejtuesi do tentonte të largohej dhe niste përsëri makinën, Zoti më dha forcë dhe u çova, duke ecur 2 m dhe u shtriva në trotuarin të mbuluar me borë e me fytyrën mbuluar plotë me gjak! Nga makina del një vajzë rreth 35- vjeçe, duke bërtitur e traumatizuar nga gjithë ai film tragjik me metrazh të shkurtër, ku tashmë ishim vetëm dy akrorë; ajo që e kishte pushtuar djalli (pasi e arrestuan për përdorim drogash) dhe unë i mbuluar me gjak në gjithë fytyrën!

E pashë që ajo nuk ishte në vete dhe i kërkova të merrte në telefon ambulancën. Nuk kishte telefon, por nxora nga xhepi celularin tim, mora policinë dhe mbasi ata hapën telefonatën, ja dhashë asaj të fliste!

Kalimtarë nuk kishte, por pas 2 min dolën disa punonjës nga lokalet “Mc Donald” dhe “Arby’s”, 3-4 min më pas mbërrin policia dhe 5-8 min më vonë ambulanca. Me barela më çuan në spitalin më të afërt “Mountin Hospital” dhe mbasi më dhanë ndihmën e shpejtë dhe më bënë të gjitha kontrollet, doli që nuk kisha asnjë frakturë dhe asnjë të çarë për të përdorur ndonjë kapës në kokë!

Nga skena që përshkroi edhe policia e krimeve, e cila kishte fotografuar jo vendin, por edhe trupin tim në spital, të gjithë u habitën. Këtë ma shprehën me doktorë, infermierë, policë dhe ata që e dëgjuan nga unë, sesi shpëtova në paqe! Patericat i mbajta më shumë për të mos lënduar trupin dhe ecur normalisht, por nuk kemi pse habitemi, pasi ZOTI është ai që na ka dhuruar jetën, na mbron në këtë jetë apo na hap portën e Parajsës. Me anë të kësaj letre, i përcjellë gjithashtu falënderimet e mia më të përzemërta, të gjithë atyre banorëve që më dhanë ndihmën e parë në ato momente, gjithë personelit të ambulancës, spitalit dhe policëve, të cilët bënë të pamundurën për të më ndihmuar dhe për t’u bërë pjesë e këtij misioni mbrojtës, atij engjëllor të dërguar po nga i Madhi Zot!

Në momentet që fluturoja në ajër dhe i lutesha Zotit për të më mbrojtur; nuk e ndjeja trupin, por shpirtin aq të lehtë; mendjen aq të kthjellët dhe prisja nga momenti në moment, vendimin e Zotit, pasi tashmë shpirti pothuajse ishte shkëputur nga trupi!

E ndava këtë më ju të dashur, pasi nuk duhet të fshehim mrekullitë që na i dhuron çdo ditë i Madhërishmi Zot, i Biri i tij Jezu Krishti dhe Shpirti i Shenjtë!

Bëni mirë pa kushte dhe do shpërbleheni, besoni dhe lutuni në Zot dhe shpërndajeni fjalën e tij dhe mbrojtjen që marrim prej tij, se nuk do të gjendemi asnjëherë të braktisur.

LAVDI ZOTIT, BIRIT TË TIJ JEZUSIT DHE SHPIRTIT TË SHENJTË!

Edmond Ismailati

New York City