Kulturë Një tjetër shqiptar në Eurovizion, Gjon Muharremaj përfaqëson Zvicrën

Një tjetër shqiptar në Eurovizion, Gjon Muharremaj përfaqëson Zvicrën

Televizioni publik zviceran SRF njoftoi se shqiptari Gjon Muharremaj (Gjon’s Tears), do të përfaqësojë Zvicrën në Eurovision Song Contest 2020 me këngën “Repondez-moi” që në shqip do të thotë “Mu përgjigj”. Këngëtari nga Shqipëria do të performojë në natën e dytë të gjysmë finales më 14 maj. Këngëtari 21 vjeçar Gjon’s Tears u zgjodh nga një panel prej 100 anëtarësh dhe një juri ndërkombëtarë që përfshin 20 ekspertë të muzikës pasi paraqiti këngën e tij. Paneli dhe juria secili kishin 50 për qind të vendimit.

Si disa këngë të tjera të këtij artisti të ri, edhe ajo me të cilën do të shkojë në Eurovizion, është një temë shumë personale për të. Kënga është shkruar nga vetë ai dhe tregon ikjen e emigrantëve kudo në botë. “Të gjithë pyesin veten pse ne jemi këtu, nga vijmë dhe ku do të shkojmë”, janë vargje të tekstit të këngës. Në intervistën pas zgjedhjes së tij ai tha se këto pyetje janë shumë të rëndësishme, sidomos për njerëzit që janë emigrantë. “Prindërit e mi janë nga Kosova dhe Shqipëria. Unë jam rritur në Zvicër e cila është shtëpia ime, këto janë pyetjet që mendoj gjatë gjithë kohës”, është shprehur Gjoni.

Këngëtari shqiptar e shkroi këngën “Repondez moi” së bashku me kantautorë të tjerë si Xavier Michel, Alize Oswald dhe producentin e këngës Jeroen Swinnen, si pjesë e një grupi këngëtarësh në Zvicër.

Gjon’s Tears ia ka kushtuar të gjithë kohen muzikës. Që kur ishte fëmijë ai ka marrë pjesë në kommpeticione të ndryshme muzikore, ku ndër to ka qenë dhe “The Voice Kids Albania”.

Gjyshi i Gjonit u emocionua aq shumë nga zëri i nipit të tij sa e regjistroi atë fillimisht në kompeticionin “Albania Got Talent” në vitin 2011, ku ai doli i treti në konkurs. Një vit më vonë ai mori pjesë në të njëjtin kompeticion, por në Zvicër dhe shkoi në gjysmë finalë. Më pas gjatë vitit të kaluar ai doli ndër më të mirët në spektaklin “The Voice Francë”. Gjoni ka thënë kudo se e do artin në të gjithë format e tij. Ai ka një admirim të madh për kinemanë, është i apasionuar ndaj teatrit dhe i pëlqen të marrë frymëzim nga muzetë dhe galeritë e artit, por muzika ka qenë gjithmonë përparësia e tij kryesore.

“Eurovision është ngjarja më e madhe muzikore ku një artist mund të jetë. Unë jam plotësisht i hapur për këtë aventurë unike dhe mezi pres gjithçka që vjen me të. Dua të jap gjithçka që kam në garën e Eurovizionit dhe dua të krenohem për atë që jam, nga kam ardhur dhe për atë që më ka rritur. Me “Repondez Moi” dua të frymëzoj njerëzit që të ndjekin rrugën e tyre”, është shprehur i entuziazmuar në intervistë Gjoni.

I gjithë prodhimi i Gjonit u mbështet nga regjisori Janine Piguet i lNred Production, Thierry Pradervand (kamera dhe redaktimi) dhe nga familja e tij. Të dy prindërit e tij, si dhe vëllai dhe gjyshja e tij, janë pjesëmarrës në videoklipin e këngës, që u xhirua në Bibliotekën Fribourg, një ndër bibliotekat më të mëdha në vend. Gjoni do të këndojë në frëngjisht dhe është hera e dytë që Zvicra përfaqësohet nga një këngë frëngjisht që prej 10 vjetësh.

Ai është shqiptari i dytë në këtë edicion të Eurovizionit. Shqipëria përfaqësohet nga Arilena Ara.