Nga viti i ardhshëm, në Universitetin e Exeter-it në Britaninë e Madhe, do të hapen studimet master në magji dhe shkenca okulte. Programi studimor ofrohet pasi është vënë re një “rritje e interesit për magjinë”.
Programi i ri njëvjeçar ofron një mundësi për të studiuar historinë dhe ndikimin e magjisë në mbarë botën në shoqëri dhe shkencë. Profesorë me ekspertizë në histori, letërsi, filozofi, arkeologji, sociologji, psikologji, dramë dhe fe do të tregojnë rolin e magjisë në Perëndim dhe Lindje.
Emily Selove, drejtuese e kursit, thotë: “Një rritje e fundit e interesit për magjinë dhe okultizmin brenda dhe jashtë akademisë qëndron në qendër të pyetjeve më urgjente të shoqërisë sonë. Dekolonizimi, eksplorimi i epistemologjive alternative, feminizmi dhe antiracizmi janë në thelb të këtij programi”.
Kursi do të ofrohet në Institutin e Studimeve Arabe dhe Islame.
“Ky master do t’i lejojë njerëzit të rishqyrtojnë supozimin se Perëndimi është vendi i racionalizmit dhe shkencës, ndërsa pjesa tjetër e botës është vend i magjisë dhe besëtytnive”.
Mes moduleve që mund të përzgjidhen janë: dragonjtë në letërsinë dhe artin perëndimor, legjendën e mbretit Artur, paleografinë, mendimin islam, teorinë dhe praktikën arkeologjike dhe përshkrimin e grave në Mesjetë.