Aktualitet Një ushtri me vrasës për të ekzekutuar Brilant Martinajn, dyshohet se atentatorët...

Një ushtri me vrasës për të ekzekutuar Brilant Martinajn, dyshohet se atentatorët e rrethuan me tre automjete! Rihapen çështjet e mbyllura

Efektivi i FNSH, Xhulio Prela dhe viktima e atentatit të djeshëm Brilant Martinaj

Dy histori vrasjesh, më shumë në kuadër dyshimesh se të faktuara nga Policia dhe Prokuroria, një përfshirje në trafik droge dhe një mori me të dhëna për përfshirje në krime të ndryshme është gjithçka që grupi hetimor ka në duar pas asaj masakre që tronditi vendin në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Policia e zënë “gafil” në atë orë, në atë rrugë gjendeshin vetëm efektiv të Policisë Rrugore, të cilët patrullojnë për të ndëshkuar shoferët e pabindur, por të pamundur për të qenë efecientë në atë pritë fatale që solli pamjet e një akti terrorist në mes të ditës dhe në mes të aksit të vetëm nacional që ka vendi. Referuar të dhënave bëhet me dije se Policia ka vetëm një fakt në duar: njëra nga makinat që mori pjesë në atentat dhe u gjend e djegur rreth një orë më vonë rezulton e vjedhur në Tiranë, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë tjetër për atentatorët e shumtë që gjurmuan dhe vranë tre të rinjtë nga Laçi.

Burimet policore konfidenciale bëjnë me dije se ka dyshime që në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të paktën tre makina me atentatorë, duke e bërë edhe më të pamundur zbulimin e ngjarjes. Por, duke ndjekur itinerarin e makinës në të cilën udhëtonin tre shënjestrat, policia ka humbur fillin e identifikimit të mjeteve që kanë marrë pjesë në ekzekutim. Gjetja e një morie gëzhojash në vendin e ngjarjes, mjeti i djegur në Larushk si dhe ikja nga aty e vrasësve, ka krijuar idenë se bëhet fjalë për një numër të madh personash dhe mjetesh të angazhuar.

Grupi hetimor është kthyer te dy ngjarje të rënda që ndodhën në harkun kohor të një muaji në fundin e 2020 për të këqyrur edhe njëherë atë çfarë ka ndodhur në ato dy ngjarje, njëra e ndodhur në Laç dhe tjetra në Gajush. Për të dyja këto vrasje u lakua emri i të riut Brilant Martinaj, i cili ditën e djeshme dyshohet të ketë qenë edhe personi në qendër të asaj hakmarrjeje të frikshme.

HETIME DHE DYSHIME

Policisë iu deshën mbi 2 orë të identifikonin viktimat dhe të ndërtonin një skenë krimi. Makina në flakë, me dhjetëra gëzhoja, mjete që udhëtonin në të dy akset e rrugës dhe që nuk kuptonin se ç’kishte ndodhur, bëri që vrasësit të kishin gjithë kohën në dispozicion për të zhdukur gjurmët. Referuar burimeve policore jo zyrtare bëhet me dije se tre të rinjtë, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Diklen Vataj kanë ardhur në vendin e pritës nga rrugë e Rinasit. Ata kanë hyrë poshtë urës së Fushë-Krujës, duke dalë në të majtë të mbikalimit.

Sipas dyshimeve, mjeti që iu ka prerë rrugën ka ardhur nga rruga kryesore, që lidh Kamzën me Fushë-Krujën, duke mundësuar një pritë prej profesionistësh në momentin që mjeti që drejtohej nga Besmir Hoxha të dilte në rrugën nacionale, praktikisht në urën ku edhe u ekzekutuan. Burimet jozyrtare dyshojnë se një mjet ka qenë pas tyre në të njëjtën rrugë, ndërkohë që ka dyshime që një mjet tjetër të ketë qenë duke ardhur në drejtim të Tiranës. Rindërtimi i skenës së krimit ka bërë që të dyshohen për një numër të madh personash të përfshirë në ngjarje, pasi vetëm në njërin nga mjetet që Policia gjeti të djegur u gjenden tre armë, të tria të përdorura në ngjarje. Pra, Policia pretendon se në mjetin nga ku është qëlluar të kenë qenë të paktën 4 persona, ndërkohë që mjeti më pas u gjet i djegur në vendin e quajtur Larushk.

Policia ka kërkuar bllokimin e të gjitha kamerave të bizneseve që kanë mundur të fiksojnë dy mjetet që nga Tirana e deri në vendin e krimit, ndërkohë që nuk është në gjendje të tregojë se me mjetin “Passat” që u krye ngjarja sa veta udhëtuan pas ekzekutimit, pasi që nga vendi i krimit e deri në daljen e rrugës së Larushkut, janë me dhjetëra kamera të objekteve në rrugën kryesore. Kështu deri orëve të vona të së mbrëmshmes, Policia zyrtarisht nuk ka bërë publike asnjë pistë ku po hetohet për ngjarjen e rëndë, ndonëse menjëherë ka nisur kërkimi i historive të viktimave për të mundësuar ndonjë shkak ku të fokusohen./ Panorama