Detaje të reja janë mësuar në lidhje me zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, në Shëngjin.
Dëshmia e një vajze ka qenë thelbësore për grupin e hetimit në zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Sipas deklarueses, identiteti i së cilës nuk behet i ditur, portugezi i dyshuar si autor i vrasjes pas ardhjes në Shqipëri është vendosur në një hotel në Shëngjin, pranë vendit të ngjarjes.
Vajza ka shkuar me vullnetin e saj në polici dhe ka treguar të gjitha vendet ku organizatori ka takuar 5 shtetasit e huaj që morën pjesë në vrasjen e biznesmenit.
“Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër”, ka treguar deklaruesja, e cila pranon se ka blerë motorin e përdorur prej tij.
“Motorin e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen Lezhë, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë”, ka rrëfyer ajo.
Sipas dëshmisë, portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e zonës në gjuhën shqipe, ndërsa me Edmondin komunikonte në anglisht. Sipas të dhënave nga grupi u hetimit, Ribero Saraiva ka hyrë në Shqipëri në nga Rinasi në 14.02.2023, dhe është larguar në 19.04.2023 ora 19:26, nga Pika e Kalimit Kufitar në Kapshticë si këmbësor.
Hetimi ka provuar se në një nga sendet e përdorura në dhomën e hotelit nga Harry Simpson, është përftuar profil i njëjtë gjenetik me atë të gjetur në disa veshje të gjetura në automjetin e marrë me qira nga Edmond Haxhia.
Në një konferencë për mediat të mërkurën, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij ‘Coral’ ka ndodhur për motive gjakmarrje. Porositësi dhe financuesi i vrasjes, dyshohet se ka qenë Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Haxhia ishte kthyer në Shqipëri prej disa muajsh.