Kur jemi pak më shumë se një vit nga shpallja e pandemisë së koronavirusit, mbi 2 milionë e 600 mijë persona kanë ndërruar jetë, ndërsa janë prekur më shumë se 120 milionë dhe bota vijon luftën me armikun e padukshëm.
Megjithatë, një shtet i cili është vetëm 130 kilometra nga Kina, aty ku u raportuan rastet e para me Covid-19, mund të cilësohet si shembulli më i mirë i menaxhimit të pandemisë. Është fjala për Tajvanin, shtetin me më shumë se 23 milionë banorë, i cili pas një viti nga shpallja e pandemisë ka vetëm 985 raste të konfirmuara, 869 prej të cilave janë klasifikuar të importuara. Ndërkohë, 10 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa aktualisht 25 janë të shtruarit në spital.
Këtë të diel, në Tajvan u dha “alarmi”, pasi një vajzë 20-vjeçare kishte rezultuar pozitive me koronavirus. Zbulimi i rastit dhe trajtimi i saj nuk lë asnjë mundësi për përhapje të virusit. Vajza nga Afrika e Jugut ishte futur në Tajvan më 19 shkurt dhe menjëherë, po ashtu si të gjithë personat e tjerë, ishte vendosur në karantinë, të siguruar nga qeveria. Ajo ishte testuar dy herë dhe në të dy rastet kishte rezultuar negative, ndërsa në testin e tretë, rezultatet e të cilin u bënë publike këtë të diel, ajo rezultoi pozitive. 20-vjeçarja është asimptomatike, por së bashku me një person tjetër me të cilin kishte pasur kontakte, u vendosën menjëherë në karantinë, ku do të qëndrojnë deri sa tamponët e tyre të rezultojnë negativë.
Ekspertët janë shprehur se Tajvani, një ishull me 23 milionë banorë, ka arritur të mbajë larg virusin, përmes masave të marra herët, një strukture të shkëlqyer komanduese, përvojë e fituar nga epidemitë e mëparshme dhe një komunikim transparent me qytetarët.
Që në fund të dhjetorit të vitit 2019, përpara se bota të merrte lajmin për shpërthimin e një virusi të ri, qeveria e Tajvanit e ndjeu rrezikun nga thashethemet për një sëmundje të re të frymëmarrjes, të dalë nga Wuhani dhe zyrtarët vendas nisën menjëherë kontrollet ndaj pasagjerëve që ktheheshin nga Kina.
Më tej, Taipei nisi të bllokojë fluturimet nga Kina dhe të vendosë në karantinë qytetarët nga zonat e infektuara para se qytetet e tjera aziatike të nisnin ta bënin një gjë të tillë. Në anën tjetër, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve publikonte azhornime të përditshme dhe paralajmërime të rregullta në lidhje me vendet e infektuara.
Ndërtesat publike, shkollat, qendrat tregtare dhe zyrat, vendosën rregulla të rrepta që në ditët e para, edhe pse nuk u mbyllën. Panik për maska apo pajisje të tjera mjekësore? As që bëhej fjalë! Qeveria kishte gjendje 44 milionë maska, të cilat siguruar qytetarët.
Audrey Tang, ministri dixhital, kryesoi strategjinë me një sistem gjurmimi në internet që lejon njerëzit të kërkonin në farmaci pajisjet që i nevojiteshin, në mënyrë që të shmangeshin radhët.
Gatishmëria e jashtëzakonshme e Tajvanit për të përballuar këtë virus të ri, duket se i ka rrënjët që në vitin 2003, atëherë kur SARS-i goditi ishullin, i cili mori kritika të shumta nga Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, sikur nuk mori masat e duhura.
“Pas SARS-it, ata nisën përgatitjet për një tjetër epidemi. Qeveritë duhet të marrin masa para se diçka të ndodhë”, tha Jason Wang, profesor i asociuar i pediatrisë në Stanford Medicine në Kaliforni.