Bedri Islami – Dita
Për shumë kënd viti 2017 do të mbetet më i çmenduri në pluralizëm.
I kishte të gjitha për të qenë i tillë: çadër 100 ditëshe që në fund polli një humbje katastrofike për disa, dhe, si ndodh me enët balancuese,ndjenjë të lumtur për të tjerët;
-protestë pëdëiste ku fjala e mbrëmjes ia linte vendin qofteve mbi prush, selitur nga një lokal i halimëve dhe ku fjalët e rënda, tradhti, revolucion, përmbysje, klikë, mafia, vrasës etj., zëvendësoheshin shpejt e shpejt me thirrjet për qepabë dhe birra;
-ndarje mizore që më pas u bë e lumtur, mes shumicës qeverisëse dhe, pas puthjeve dhe lojës “turlily, turlily, mbylla njërin sy”, shamatë në prag të ndarjes si gratë e liga në një mëhallë të vjetër;
-ulërima zgjedhore dhe gojë pasanikësh; të kriminalizuar që bënin ligje antikrim dhe, pas tyre, të ndershëm që nuk dihej se ku përfundonin; betejë politike pa pasur brenda asnjë bonsens politik dhe armë të pakontrolluara që nuk dihej se nga vinin;
-betejë zgjedhore, e relaksuar në momentin e fundit, përmes një marrëveshje që as sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë ishte dhe dështimi i një kompromisi që nuk mund të bëhej; një lider i vockël që synonte të bëhej i madh, pa pasur as gjunjë që e mbanin dhe as guxim për të qëndruar dhe në krahun tjetër, një lider që quhej i madh, duke e ndjerë se po i zvoglohej shtati, kthen kuvendet popullore;
-një ish kryeministër që pasi ka rënë nga kali kërkon kuajt e betejës, pa e ditur se ata nuk janë as gomerë të vegjël dhe me to nuk bëhet dot as betejë e as nuk kalëron, por që, sidoqoftë mund t’i shalosh edhe një herë, në mos për vete, të paktën për ata që do të lësh pas;
-një fitore befasuese në fundin e qershorit, ku burri me çitjane mundi gjithë kostumet firmato, si të ishte një dorë poker, por që ishte e pritur, pasi përballë njërit që ishte në pushtet ishin vënë dy xhuxhmaxhuxhë të politikës që, së bashku nuk i shkonin të gjatit as deri në brez dhe, si një qershi mbi tortë, 140 deputetë që ngrinin njërën dorë për të miratuar reformën e drejtësisë, gjithnjë me shpresën se nuk do t’i vijë dita për të ngritur të dyja duart.
Si për të mos i munguar asgjë një viti të çmendur për herë të parë ngrihet një qeveri hibrid, ku pakica merr të gjithë portofolet e rëndësishme dhe që, të mos mbetet pas në financimin vetjak, merr edhe disa drejtori të rëndësishme, nga të cilat, në mos rrjedhshin paratë, do të pikojnë aq sa për të mbushur gojët e thara 4 vite në opozitë;
-Lista me parlamentarë të ardhshëm, të cilat si kurrë më parë, dorëzohen si fletushka bakalli, një palë sot, tjetra një ditë të nesërme, ku, sipas pagesës do të jetë edhe vendi në listë. Sekretari i përgjithshëm mbetet në fund, ose se nuk ka paguar, ose se nuk ka lekë më, ndërsa “të fortët” si shenjë garancie për vazhdimësinë, kanë vendin e tyre, pasi kanë hedhur me një dorë, ata që e kishin bërë deri atëherë strukturën. Të jesh jashtë listës, ishte mësimi që morën disa emra të njohur, Topalli, Bode, Ruli, Bregu, Patozi, Imami, që e kishin parë liderin e ri si një lulush, por që i la pas derës si askush…
-Viti na solli presidentin që , me qetësi e dashuri, bëri thirrje për armatosje të të gjithë Shqipërisë dhe lëshoi kushtrimin se, “ kam ardhur këtu me eskortën dhe miqtë e mi”, ndërsa deputeti i ardhshëm krejt açik, i fuste në xhep të dëmtuarit shumën e parave si shenjë devotshmërie. Për të mos mbetur pas dhe, për të dëshmuar se lufta mund të bëhet edhe me çizme, bashkëshortja e presidentit, pa asnjë provë të mëparshme, qëllon me çizme drejt shefit të qeverisë dhe kur nuk qëllon si duhet betohet se herën tjetër do e hapë krahun më mirë dhe se, nëse nuk e bën ajo, do të gjendet një Avni Rustem, për të marrë hakën e saj…
-Viti që përcolli presidentin më kukull, thjeshtë më kot që ka pasur Shqipëria në të gjitha kohërat, i cili si edhe në jetë, ishte e mbeti një rreshter i politikës, që sytë i kishte nga dra dhe mendjen tek selia shqupase, ndërsa dorën e lodhur nga dekoratat e pafund e të pavend që lëshonte.Një si ky, mos ardhtë kurrë!
-Viti që nuk la pas ndonjë ndryshim të dukshëm në jetën financiare të shumicës së popullsisë, për të cilën, rritja ekonomike me tre ose katër përqind, nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse një drekë e mirë më shumë, ndërsa ditët e tjera do të vazhdojnë të krrusur mbi faturat që sjellin shifra gjithnjë e më të larta, ndërsa shefi i qeverisë mori 74 vende në parlament përmes batutave virtuale, që tashmë janë harruar. Meqenëse shpresa vdes e fundit, njerëzit e besuan edhe një herë. Kur të jenë lodhur edhe prej tij do të thonë si edhe për të tjerët “iku edhe ky”.
Nuk di ndonjë vit tjetër në pluralizëm që të jetë hapur kështu, me një çadër politike, krejtësisht budallaqe dhe me në mbyllje një përpjekje rebeluese në sallën e Kuvendit. Ka patur vite të prapshtë, si 1997, ka patur vite mizor, si ai i 1992, ka patur vite zhgënjyes si 2012, ka patur vite tallës, si 1991, ka patur vite vrasës, si ai i 21 janarit, ka patur vite tronditës, si ai i Gërdecit, vite mashtrues si 1993, vite konçensionesh si 2016, por kurrë nuk ka pasur një vit të çmendur si ky që lamë pas.
I ka pasur në vete të gjitha çmenduritë e mundshme dhe solli vetëm një të mirë që mund të mbahet mend gjatë: reformën në Drejtësi dhe ndryshimet e domosdoshme kushtetuese. E shumëpritur nga të gjithë, ajo ka marrë mbi vete edhe atribute që nuk kanë asnjë lidhje me të. Pritshmëritë e mëdha mund të sjellin zhgënjime të mëdha. Prej saj njerëzit presin të jenë më të mirë, jeta më e bukur, gjyqet më të sigurta, rrugët më të pastëra, studentët presin bursa nga shteti, vajzat e reja dhendurë të pasur, ndërsa ajo që do të bëhet në realitet mund të jetë shumë më e vogël. Pasuria e shfaqur e gjyqtarëve, prokurorëve, njerëzve të politikës, manjakëve oligarkë financiarë është si një aisberg: pjesa e dushme është shtatë herë më e vogël se e nënujshmja; vetëm bankat në Zvicër dhe në parajsat financiare e dinë të vërtetën që mund të mos zbulohet kurrë.
Si një vit i çmendur , çmendi krejt opozitën njëherësh: opozitarët katër vjeçarë dhe ato të freskët fare; por solli shenja çmendurie edhe tek shumica qeverisëse.Nuk thonë kot, një i çmendur, të çmend.
Ajo që u përjetua në 12 muaj nuk kishte ndodhur kurrë. Në secilin prej tyre kishte disa shenja të çmendurisë së shtetit dhe të pushtetit. Herë njëra palë, herë tjetra. Ndërsa opozita i kishte varur të gjithë shanset tek ardhja në pushtet e një presidenti të ri amerikan, sikur të ishte ky vend kërthiza e botës dhe ai, Trump, të mos kishte halle të tjera; shumica i varte tek harresa e të parit të botës. Të dukej sikur fatet e pushtetit në Shqipëri vareshin nga një seli mijëra e mijëra larg dhe, fqinjët që kishim shumë më afër, ndërsa u buzëqeshnim, gjuheshin me gurë. Ishte viti kur, çmendurisht, përbuzëm të deleguarit europianë për një zgjidhje të mundshme dhe po ashtu, krejt marroqshëm, u thamë për gjithçka “po”, një të deleguari të fuqishëm amerikan. Viti kur të deleguarit e Europës i bëmë matufë dhe të deleguarat i bëmë prostituta, kur gjetëm krejt shpejt një armik të ri të demokracisë, tek i cili kishin rënë të gjithë një gjunjë, Soros dhe sorosianët u shpallën si të ardhur nga Marsi e që deri dje, nuk ishin mes nesh.
Do të kujtohet gjatë ky vit. Edi Rama vuri bast gjithë vitet e jetës së tij politike për një fitore. Dhe, si pak kush kishte menduar, ia arriti i vetëm. Pa u zhdukur ende drita e fishekzjarreve i doli një humbëtirë e madhe me një emër të dashur për të, por që edhe mund të mallkohej: Tahiri. Opozita që pasi kishte dërguar miliona euro në parajsat fiskale, mblodhi grushtet, gjeti tre bedelë në një strukturë dhe mendoi të fillonte gjyqin e parë kundër fitores plebishitare.
Në janar, si duket do të fillojë pjesa e dytë e Çadrës. Do të jetë si e para, apo diçka ndryshe, këtë nuk e di akoma as i zoti i punës, nëse kjo punë ka zot.
Qeveria dhe presidenti e vazhduan endjen e tyre në motivin e këtij viti: e para krejt befas lejoi ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë, dhe presidenti nuk kërkoi asnjë shpjegim për këtë e nuk i shkroi letër askujt; ndërsa për vete, si shenjë se kush i ka më për zemër grekërit, vrapoi dhe i dha nenshteshtësinë shqiptare zotit Janullatos, çka nuk e kishin bërë 5 presidentë të tjerë para tij.
Edhe pak e ky vit merr fund. Do i lërë pas, si ngjarje, të gjitha ato që kanë ndodhur, bile edhe foton “historike” të zotit Noka, duke i bërë shu..ën parlamentit.
Por “ litarin” do e lërë jashtë. Me ato që ka mbjellur në të 12 muajt e tij duket se edhe çka vjen pas tij nuk do të jetë e lehtë.
Vetingu i ka çmendur njerëzit, sidomos ata që e dinë se kanë punë me të. Gjithçka mund të fshihet, por vilat e pallatet nuk futen dot në kuti shkrepëse dhe të merren me vete. Ata janë aty, në resorset luksoze, në plazhet e posaçme, në bjeshkët e bukura. Aty vijnë bijat e bijtë e gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve, deputetëve dhe bëjnë pushimet, pasi janë lodhur nga qëndrimi i gjatë jashtë shtetit.
Vetingu është në fillimet e tij. Do kohë deri sa të marrë të gjithë shpejtësinë e tij.
Mungesa e pushtetit i ka çmendur të tjerët. Katër vite në opozitë për njerën palë dhe, fillimi i një katërvitëshi për palën tjetër, janë si shumë. A do të mund të qëndrojnë, sidomos pa bërë sherr? E vështirë! Si i thonë “ më keq i mësuari, se i dëshiruari”.
Magjia e pushtetit po çmend të tjerët. Ndërsa kanë dhënë gjithçka në të famshmen PPP, Partneritet –Publik – Privat, thonë se tani janë bërë gati të japin edhe kalatë. Zotërimet e Kastriotëve, Muzakëve, Dukagjinëve, Vranakontëve, Aranitëve, etj., do të jepen për një kafshatë buke… Do të vijë dita që do i dalë edhe i zoti i tokës ku janë ngritur kështjellat tona të hershme.
Një vit i çmendur iku.
A do të fillojë një tjetër si ky?
Askush nuk e di.