Në ditët e para të luftës një vit më parë presidenti rus Vladimir Putin i ka premtuar ish-kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, se nuk do ta vriste homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë një interviste të publikuar në mediat lokale izraelite dhe ato ndërkombëtare ish-kryeministri izraelit, kujton pjesë nga biseda me kreun e Kremlinit.
“A keni ndërmend të vrisni Zelensky-n?” e kishte pyetur ai presidentin rus dhe kishte marrë sigurinë nga Putin që nuk do ta vriste: “Unë nuk do ta vras Zelenskyn”, ishte përgjigjur ai.
Bennett kujtoi gjithashtu se e kishte pyetur sërish dhe sërish kishte marrë premtimin për të mos e vrarë Zelensky-n.
Ndërsa ishte ende në Moskë, Bennett i telefonoi Zelenskyt për t’i thënë se ai nuk ishte nën kërcënim me vdekje.
Në atë bisedë, ai tregoi detaje nga udhëtimi i tij i njohur në Moskë në Shabbat në fillim të marsit 2022, në një përpjekje për të ndihmuar ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje midis dy palëve.
Bennett ka shërbyer për periudhë të shkurtër si ndërmjetësues mes dy vendeve.
Ai ka qenë një prej liderëve të paktë që kanë takuar Putinin, pak javë pas nisjes së luftës në Ukrainë.