Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një atentati me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Shëngjin.
Një prej personave të plagosur sot në Shëngjin është plagosur edhe më parë në 25 qershor ditën e zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për Florian Dushkun, i cili u godit me qytën e pistoletës ditën e zgjedhjeve në Lezhë.
Dy të rinjtë Samet Bercaj 19 vjeç dhe Florian Dushku 28 vjeç u qëlluan me armë zjarri në gjymtyrët e poshtme nga një person ende i paidentifikuar që është larguar menjëherë me një automjet që e ngiste një tjetër person.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lezhës ku edhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka ngritur postoblloqe në kërkim të autoreve ndërsa në ndihmë të policisë së Lezhës erdhën edhe 2 furgonë me trupa të FNSH.
Sipas të dhënave të para bëhet e ditur se dy të rinjtë Bercaj dhe Dushku po ecnin në këmbë në trotuar kur pranë tyre ka ndaluar një autoveture dhe prej saj ka zbritur një person me pistoletë në dorë.
Nuk dihet nëse mes autorit që shoqërohej edhe nga një tjetër person i cili ka qëndruar në timon dhe dy të plagosurve ka patur ndonjë debat, por bëhet e ditur se dy te plagosurit janë ndjekur në këmbë nga autori në një distance rreth 50 metra dhe më pas i ka qëlluar në gjymtyrët e poshtme duke i lënë të plagosur.
Policia vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen si dhe për kapjen e dy autorëve që bashkëpunuan në plagosjen e dy të rinjve.