Bota Njeriu i Putinit pranon për herë të parë: “Operacion special” nuk po...

Njeriu i Putinit pranon për herë të parë: “Operacion special” nuk po shkon sipas planit

Moska ka pranuar për herë të parë publikisht se “operacioni ushtarak special”, siç e quajnë pushtimin e Ukrainës, nuk po shkon siç ishte planifikuar. Dhe për këtë kanë gjetur justifikime.

“Dua të them se jo gjithçka po shkon aq shpejt sa do të donim, por vetëm sepse nazistët fshihen pas civilëve, pleqve, grave, fëmijëve, duke organizuar pozicione luftarake në kopshte, shkolla dhe ndërtesa banimi. Megjithatë, hap pas ne po shkojmë drejt qëllimit dhe do të fitojmë”, tha të dielën Viktor Zolotov, komandanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Rusisë, ish-truproja e presidentit rus Vladimir Putin dhe një nga ndihmësit e tij më besnikë.

Ai theksoi se pjesëtarët e Gardës Kombëtare, së bashku me Forcat e Armatosura Ruse, po kryejnë “hap pas hapi” detyrat e përcaktuara gjatë “operacionit special” në Ukrainë dhe se “po shkojnë drejt qëllimit”.

Ndërkohë, një nga anëtarët e ekipit negociator rus, i cili ka qenë deri tani në tre takime me palën ukrainase në Bjellorusi, foli gjithashtu këtë të diel.

Duke komentuar rrjedhën e negociatave, të cilat vazhduan pas tre raundeve takimesh fizike në një numër të panjohur raundesh videotakimesh, Leonid Slutsky tha se “sipas pritshmërive të tij, përparimi në negociata mund të zhvillohet në një qëndrim të përbashkët të të dy delegacioneve, gati për nënshkrim”.

“Nëse krahasojmë pozicionet e Rusisë dhe Ukrainës në negociatat në fillim dhe sot, mund të shohim përparim të rëndësishëm”, tha Slutsky, pa dhënë asnjë detaj specifik për thelbin e negociatave.

Ndërsa negociatori ukrainas Mihailo Podoljak pajtohet se negociatat janë bërë “më konstruktive”.

“Në parim, ne nuk do të devijojmë nga asnjë nga pozicionet tona. Rusia e kupton këtë. Rusia tashmë ka filluar të tingëllojë konstruktive. Unë mendoj se do të arrijmë disa rezultate fjalë për fjalë në ditët në vijim”, tha Podoljak të dielën.