Kriza që solli pandemia e Covid-19 bëri të mundur që njeriu më i pasur i Europës, të humbiste më shumë se 30 miliardë dollarë. Në zyrën e tij të katit të nëntë në Avenue Montaigne të Parisit, njeriu më i pasur i Europës, Bernard Arnault, po kalon orë të gjata duke menduar për pasojat që do lërë pas virusi në perandorinë e tij të mallrave luksoze, sikurse është ajo LVMH.
Në moshën 71-vjeçare, miliarderi pohon se ka përjetuar disa kriza, në kalvarin e tij të gjatë të dyqaneve, prej 70 markash të ndryshme luksoze, duke filluar nga Dior dhe deri tek Fendi, por asnjë krizë nuk ka qenë e ngjashme me këtë që shkaktoi Covid-19. Pasuria e Arnault ka rënë ndjeshëm, me aksionet e LVMH që janë ulur me 19% këtë vit, dhe vlera e tij neto është zvogëluar me më shumë se 30 miliardë dollarë; duke humbur më shumë para se çdo individ tjetër në botë, sipas Indeksit të Bloomberg Billionaires. Që nga 5 maj, ai kishte humbur aq shumë para sa kishte fituar kryetari i Amazon, Jeff Bezos.
Mirëpo, markat e Arnault, dhe marzhet e tyre të fitimit prej rreth 9 miliardë eurosh i japin atij fleksibilitetin jo vetëm për të shpëtuar nga kriza, por për të vazhduar zgjerimin e perandorisë së tij, thonë ekspertët. Tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zinxhiri i LVMH-së Sephora pushoi më shumë se 3,000 njerëz, ose rreth 30% të stafit të dyqaneve të tij, në fillim të prillit.
Ndërsa krizat e tjera të fundit ishin thjesht ekonomike, “kjo është psikologjike dhe mund të zgjasë për një gjeneratë,” deklaron përfaqësuesja e LVMH.
Fati i industrisë së LVMH, dhe së bashku me të dhe fati i personit më të pasur në Europë, Arnault, do të varet në masë të madhe nga Kina, një treg që përbëhet më shumë se një të tretën e shitjeve luksoze dhe dy të tretat e rritjes së sektorit vitet e fundit.
“Në prill, në markat e mëdha, ne kemi parë norma shumë të larta të rritjes së blerjeve në kontinentin e Kinës”, tha zyrtari kryesor financiar i LVMH, Jean-Jacques Guiony. “Kjo tregon me të vërtetë oreksin e popullit kinez pas dy muajsh bllokim për t’u rikthyer në modelin e tyre të mëparshëm të jetesës dhe konsumit.”