Lionel Messi shënoi golin e tij të parë për Inter Miamin në minutën e katërt shtesë në Kupën e Ligës së Amerikës Veriore dhe Qendrore dhe këtë e bëri në mënyrë fantastike nga gjuajtja e lirë për të fituar 2-1 kundër Cruz Azul.
Messi nuk e nisi ndeshjen e mbrëmshme në formacionin titullar, por pati mundësinë për të luajtur, sëbashku me Sergio Busquets, duke u inkuadruar në minutën e 54-të.
Më herët u bë e ditur se Messi ndoshta do të ketë kohë të kufizuar në fillim dhe se i duhet kohë për t’u mësuar me fushën e re.
Në momentin kur ai dhe Busquets hynë në lojë, Inter Miami kishte epërsinë me golin e Taylor në minutën e 44-të, por në minutën e 65-të miqtë barazuan pasi Antuna shënoi për 1:1. Dhe pas kësaj, u duk se ndeshja do të përfundonte pa fitues. Por më pas në skenë doli Messi.
U luajt minuta e katërt e shtesës, madje kishin kaluar dy minuta nga përfundimi i kohës shtesë nga gjyqtari dhe më pas Messi befasoi të gjithë me një goditje dënimi fantastike që i solli fitoren Inter Miamit.
LIONEL ANDRÉS MESSI IS NOT HUMAN. pic.twitter.com/2mBDI41mLy
— Major League Soccer (@MLS) July 22, 2023
Ky ishte goli i tij i parë në fanellën e klubit të tij të ri dhe sigurisht vetëm një nga shumë që do të shënojë ylli argjentinas për Inter Miamin.
Bashkëpronari i Inter Miamit, David Beckham, u pa me lot në sy pasi pa Lionel Messin të shënonte një gol të mrekullueshëm të fitores falë një goditje të saktë dënimi në debutimin e tij për klubin.
David Beckham in tears after Messi’s goal! 🥺pic.twitter.com/WMD3QHggv1
— Leo Messi 🔟 Fan Club (@WeAreMessi) July 22, 2023
Beckham u fotografua duke tundur kokën me mosbesim dhe me lot që i dilnin nga sytë, teksa argjentinasi kishte dhënë një moment të magjishëm në fushë. Anglezi ka qenë i njohur për gola të këtij lloji në këndin e sipërm në momentet e fundit të lojës, por ky moment i Messit e bëri atë përsëri emocional.