Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës ka protestuar sot para godinës së Qeverisë në Prishtinë, ku parashtruan kërkesat e tyre për rritjen e pagës, kushtet e punës, përcaktimin me përqindje të rrezikshmërisë në punë dhe ligjin e pensionit të parakohshëm.
Protestës së Njësisë Speciale Intervenuese ju bashkua edhe Njësia për Eksploziv dhe Deminim e Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesi i këtyre njësive policore i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të merren parasysh kërkesat e tyre.
“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marrë premtime për benifite të cilat na takojnë”, tha ai gjatë konference për media.
“Deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar. Shtesat që i kemi gëzuar nga viti 2010 u ndaluan. Ne jemi unik në kërkesat tona, sepse janë kërkesa legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizmin e tyre”.
Ai ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë dhe të marrë hapa konkret në realizmin e kërkesave të kësaj njësie elite të Policisë.
“Kryeministër, ju i dini rreziqet që i bartim gjatë gjithë kohës për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë, prandaj mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona”, shtoi ai.
“Kemi dështuam vetën në shumë raste në të kaluarën dhe së fundi më 24 shtator. Kërkojmë nga ana juaj që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe presim që kërkesat tona t’i mbështeteni”, potencoi ai.
Po ashtu, ai ka listuar edhe disa nga kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës siç janë kategorizimi si njësi të veçanta, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind prej pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqësohemi nga askush, kërkojmë mirëkuptim në këtë aspekt. Nuk do të ndalemi me kaq, për veprimet e tjera do njoftojeni me kohë”.