Kush ka parë filmin “The Terminal”, ku një Tom Hanks i jashtëzakonshëm interpretonte rolin e një shtetasi të një republike ish-ruse, i cili detyrohet të jetojë brenda perimetrit të aeroportit, të Nju Jorkut, për muaj të tërë, sepse dokumentet e tij kishin humbur vlefshmëri nga një grusht shteti, ka pyetur veten a mund të ndodhin vërtetë këto gjëra në jetën reale.
Në fakt, vetë filmi i Stephen Spielberg buronte nga historia e vërtetë e një refugjati iranian, Mehran Nasseri, i cili pasi humbi pasaportën jetoi në terminalin e “Charles De Gaulle” të Parisit nga viti 1988 deri në 2006.
Por edhe në kohë koronavirusi, aeroportet mund të shndërrohen papritur në një “kafaz” gjigant, në qoftë se dilet nga rregullat e përcaktuara.
Është rasti i tre futbollistëve argjentinas, Leonardo Gil, Sergio Vittor dhe Cristian Guanca, aspak të njohur në fakt nga opinioni publik botëror, por që luajnë me kontrata shumë të mira në Arabi Saudite. Si pothuajse çdo shtet në planet edhe vendi i Lindjes së Mesme ka urdhëruar pezullimin e kampionatit vendas, dhe argjentinasit menduan mirë të riktheheshin disa javë në vendlindje, në pritje të lajmeve më të mira.
Por nuk ishte e thënë. Udhëtimi i planifikuar në tre pjesë u ndal që në Frankfurt të Gjermanisë, për shkak të refuzimit të autoriteteve argjentinase, që nuk pranojnë më hyrje nga jashtë. E njëjta gjë edhe në San Paolo të Brazilit, që duhet të ishte etapa e dytë e udhëtimit.
Këtu fillon aventura e atletëve, ku njëri prej tyre ka me vete edhe familjen e tij. “Kemi trokitur në çdo derë, nuk na japin përgjigje. Ka plot aeroplanë që transportojnë të huajt nga Argjentina, dhe jo e kundërta”, thotë Gil, i intervistuar nga gjermania Bild.
Argjentinasit kanë rreth 5 ditë të bllokuar në aeroportin gjerman. Kur lirohen dhomat e hotelit të vogël që ndodhet në zonën e transitit, flenë aty, përndryshe sistemohen përtokë. “Përpiqemi të luajmë sa më shumë me fëmijët, që mos të kuptojnë ç’po ndodh”, thotë Guanca, i cili me vete ka dy vajza 6 dhe 7-vjeçare, gruan dhe mamanë.
Dikush thotë që një aeroplan për Buenos Aires do të niset të premten. Ata e shpresojnë shumë.