Ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare Nehat Kulla, i njohur si “gjenerali”, një nga krerët e bandave në vitin 1997.
Sipas Report Tv, Kulla ishte pozitiv me COVID-19, i cili e ka marrë nga vëllai i tij, që ndërroi jetë disa javë më parë. Që prej momentin kur doli nga burgu, Kulla ishte shfaqur shumë pak në publik. Dalja e tij e vetme ishte te varrimi i vëllait të tij Ramazani, i cili vdiq më 28 prill, i infektuar me koronavirus.
Kush ishte Nehat Kulla
Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë.
Banda e tij akuzohet se ka kryer shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme në vitet 1997-1998.
Nofka e “Gjeneralit”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.