Faqja ekonomike amerikane “Business Insider” publikoi së fundmi listën e monarkëve më të pasur në botë duke i renditur nga i pari tek i fundit.
Mbreti Rama X i Tajlandës është në krye të klasifikimit të monarkëve më të pasur në botë me një diferencë shumë të madhe nga ndjekësit. Në vend të dytë të podiumit, renditet sulltani i Bruneit me një pasuri 10 miliardë euro më pak nga ai që është në krye, ndërsa princi Alberto II i Monakos duhet të kënaqet me vendin e dhjetë në klasifikimi. Madje jashtë dhjetëshes të monarkëve më të pasur në botë janë dhe Windsorët e Britanisë së Madhe. Mbretëresha Elisabet ka një pasuri të vlefshme me gjysmën e asaj që posedojnë monarkët e Montekarlos.
Në fakt, pothuajse të gjithë mbretërit më të pasur të planetit janë aziatikë. Mbreti Rama X hipi në fron në vitin 2016. Në ceremoninë e inaugurimit të tij kishte paradë me elefantë dhe mbreti ishte stolisur me bizhuteri të shumta. Mes stolive më të vlefshme të këtij monarku, emri i vërtetë i të cilit është Maha Vajiralongkorn është dhe “Jubileu i Artë”, një diamant 547 karatë.
Sulltani i Bruneit ka një pasuri rreth 16 miliardë euro, por brenda saj është futur dhe pallati i tij, i cili është më i madhi në botë. Ky sovran ka një garazh me mbi 7 mijë makina, 600 prej të cilave janë Rolls-Royce.
Në vend të tretë të podiumit është mbreti i Arabisë Saudite, Salman, i ndjekur nga emiri i Abu Dhabit, që të dy janë zotër të naftës. Në vendin e pestë pozicionohet emiri i Dubait, i cili njihet dhe për donacionet e tij të shumta për bamirësi.
Mbretëresha më e dashur e botës, Elisabeta II është larg këtyre shifrave, pasuria e saj ndalon në shifrat 500 milionë euro, që me thënë të drejtën është shuma pak në krahasim me pasuritë e “Një mijë e një netëve të Orientit”.